Mirjana Kuke: Të jesh në biznes? Nuk ka rëndësi nëse je burrë apo grua, por nëse je këmbëngulëse në atë që nis

Mirjana Kuke: Të jesh në biznes? Nuk ka rëndësi nëse je burrë apo grua, por nëse je këmbëngulëse në atë që nis

Mirjana Kuke: Të jesh në biznes? Nuk ka rëndësi nëse je burrë apo grua, por nëse je këmbëngulëse në atë që nis

Diplomat Hotel është një emër i njohur për të gjithë. Dhe e gjithë kjo sipërmarrje e nisur në vitin 1994 drejtohet nga një zonjë. Me Mirjanën është një kënaqësi të flasësh dhe krijon përshtypjen që në kontaktin e parë se nëse të premton diçka do e mbajë atë. Dhe nuk është e vështirë për ta kuptuar pse. Pasi si në jetë dhe në punë ka parimin e biznesit të saj “të shërbesh ashtu si do të donin të të shërbenin ty”. Është një nënë krenare për dy bijtë e saj dhe pse pranon që në fillimet e punës ka patur vështirësi të jetë pranë tyre. Por fakti që sot ata vazhdojnë në udhën e saj dhe të pa imponuar, Mirjana shprehet e bindur se ju ka dhënë një model të mirë. Tashmë Diplomat Hotel do të shtrihet dhe në një projekt të ri, ku kompania Diplomat do të jetë operatori që do të menaxhoje hotelin me 100 dhoma, restorante, salla eventesh, pishina etj., që pritet të filloje aktivitetin në shtator 2020, pranë TBP. Nuk e sheh qenien e saj në biznes të ndarë në gjini dhe ka një këshillë për të gjitha ato femra që duan të nisin një sipërmarrje të re: “guxoni për të bërë diçka tuajën” por përgatituni për sfidën e përballjes me plot problematika që mbart shoqëria jonë, në aspektin ekonomik e kulturor dhe me këmbëngulje do t’ja dilni.

Kur e keni filluar biznesin  tuaj, çfarë produkti ose shërbimi ofroni për tregun ?

Përfshirja ime në biznes daton në vitin 1994. Familja ime në mënyrë shumë modeste hodhi hapat e parë në industrinë e hotelerisë me investimin e një hoteli shumë të vogël por, në atë kohë kishte shumë vlerë. Kujtoj që ishte i vetmi hotel në Tiranë ku akomodohej stafi i Bankës Botërore, sepse nuk kishte hotele të tjerë. Duhet të sqaroj diçka shumë të rëndësishme për lexuesit. Në vitet 1990 -1995 çdokush nga etja për aktivitet privat mund të hapte një aktivitet, sepse tregu kishte nevojë për shumë lloje shërbimesh, pra vetëm pak intuitë duhej. Me këtë dua të evidentoj vlerat e sipërmarrësve të viteve 1990 -1995, të cilët meritojnë vlerësim për guximin e fillimit dhe për shpirtin këmbëngulës në vazhdim. Këtu dua të falenderoj prindërit e mi për mbështetjen financiare e morale, pasi falë tyre e pasionit dhe këmbënguljes time u rrita profesionalisht. 

Si është të jesh sot një grua në biznes?

Nëse pyet Mirjanën, përgjigja është “JA VLEN”, natyrisht jo si në vitin 1993 :). Unë jam marre me biznes dhe mund të them me bindje të plotë se jam këtu ku jam, vetëm se e kam dashuruar punën që kam bërë, dhe vazhdoj të jem e pasionuar edhe pas 25 viteve, sepse jam natyre që nuk kënaqem kollaj. Rregulli numër 1 në industrinë e shërbimit është: “Të shërbesh në mënyrën si do të doje të të shërbenin ty”. Shpeshherë ne mërzitemi me tekat e klientëve, por në fakt plotësimi i tekave të tyre ka çuar në përmirësimin e shërbimit. A ka vështirësi? Pa fund, asgjë në jetë nuk është e thjeshtë.

Një këshillë për zonjat e zonjushat “guxoni për të bërë diçka tuajën” por përgatituni për sfidën e përballjes me plot problematika që mbart shoqëria jonë, në aspektin ekonomik e kulturor. Të jesh “grua në biznes”? Mendoj se nuk ka rëndësi nëse je burrë apo grua, por nëse je këmbëngulëse për një punë që e nis. Shpesh prindërit nuk besojnë tek femijët e tyre. Edhe për gratë dikur nuk besonin se mund të ishin drejtuese, por ky opinion ka vite që ka ndryshuar me modelin e zonjave këmbëngulëse.

Me sa punonjës e keni nisur punën në kompani dhe sa keni sot?

Diplomat Hotel & Restorant ka filluar aktivitetin me një staf rreth 7 punonjës. Sot kompania mëmë dhe kompanitë bija të saj me restorantet e kateringun e kanë rritur numrin e të punësuarve. Kompania Diplomat do të jetë operatori që do të menaxhoje hotelin me 100 dhoma, restorante, salla eventesh, pishina etj., që pritet të filloje aktivitetin në shtator 2020, pranë TBP. Linder Group është një kompani gjermane shume prestigjioze e cila operon ne Tiranë prej vitesh me ndërtimin e Tirana Business Park, ku edhe do të shtohet ndërtimi i hotelit. Përzgjedhja e kompanisë Diplomat si operatori që do të menaxhojë këtë investim kaq serioz i dedikohet stafit e djemve të mi Fabian dhe Geri.

Nëse do të ishit kthyer disa vite më parë do të bënit sërish të njëjtën gjë?

Për sa kohë që e bëj, përgjigja ime është Po.

Fakti që kohën tuaj në sipërmarrje e ndani me bashkëshortin jua ka bërë punën më të lehtë apo ju ka penalizuar në raste të caktuara?

Të punuarit bashkë, padyshim që ka vështirësitë dhe fasilitetet e veta. Duke qenë se ky është një biznes familjar, ne jemi mësuar tanimë të punojmë në grup dhe të kuptojmë njëri-tjetrin. Kemi mësuar të ndajmë përgjegjësitë dhe detyrat tona, si dhe kemi kuptuar qe të punuarit në familje kërkon përkushtim dhe devotshmëri. Bashkëpunimi i përditshëm në aspektin, punë mes djemve të mi dhe bashkëshortit, përbën padyshim çelësin e suksesit tim dhe të kompanisë në tërësi.

Si është te jesh nënë, si e menaxhon kohën e saj dhe a mendoni që keni qenë mjaftueshëm prezente për fëmijët e tu kur ata kanë patur nevojë? Sa ke ndikuar në formimin e tyre?

Në vitet kur kam filluar biznesin vështirësitë kanë qenë shumë të mëdha, rrjedhimisht prezenca ime në jetën e tyre nuk ka qenë maksimale. Megjithatë, fakti që djemtë e mi sot janë në pozicione drejtuese në kompanitë që unë drejtoj më bën të mendoj se modeli i nënës dhe i pjesës profesionale që kam ushtruar kanë qenë një model shumë i mirë për ta.

Pak për fëmijët e mi. Kam dy djem Fabianin dhe Gerin në moshën 29 dhe 26 vjeç. Të dy kanë mbaruar studimet e larta dhe janë të përfshirë në biznesin e familjes (dua të evidentoj se janë përfshirë me dëshirën e tyre). Fabiani, është drejtor i Shitjeve të Diplomat Hotel & SPA dhe Catering. Geri, është administrator i Salt Restorant në zonën e bllokut dhe i OPA Greek Street Food. Përfshirja e tyre flet qartë për influencën e biznesit në familje, gjithashtu më duhet të shtoj që edhe bashkëshorti ka qenë një mbështetje e fortë për mua. Edhe pse shumë shpesh e lodhur e mërzitur për shumë arsye që na përfshijnë të gjithëve, im shoq më ka dhënë shumë energji për të vazhduar.

Cili ka qenë një moment suksesi që ka vendosur të ardhmen tuaj në sipërmarrje dhe a keni patur raste kur keni thënë mjaft nuk mund të vazhdoj më? 

Natyrisht, që lodhemi të gjithë për arsye nga më të ndryshmet që sjell jeta dinamike në biznes. Për sa kohë që gjendem ende në këtë biznes do të thotë që asnjëherë nuk e kam menduar fjalinë “Nuk vazhdoj me”, përkundrazi sfidat më kanë dhënë edhe më shumë forcë dhe dëshirë për të ecur me tej.

Në lidhje me momentin më të suksesshëm të jetës në biznes mund të them që ka qenë pikërisht ai, kur djemtë e mi vendosen që të përfshihen në biznesin që unë drejtoja. Ka qenë pikërisht viti 2015 kur djemtë e mi, me dëshirën e tyre vendosen të përfshihen në biznesin e familjes. Ky fakt më ka lumturuar vërtetë shumë.

Ndryshe nga fillesat tuaja të biznesit, çfarë politikash nxitëse mendoni  se duhet të ndërmarrë qeveria për mbështetjen e gruas sipërmarrëse, a do të mund të bëhej diçka më e mirë?

Modeli i qeverisë aktuale ka në përbërje të saj më shumë se 50% të kabinetit të saj gra. Mendoj se ky fakt, mund të ndikojë në përmirësimin e politikave fiskale, si për shembull përjashtimin e taksës së tatim fitimit në 5 vjeçarin e parë për të gjitha bizneset që iniciohen nga gratë.

Diplomat Hotel & Restorant

Me 22 vjet në treg, me arritje të shumta, dhe me filozofi që ka në qendër klientin, Diplomat Hotel ka standardet më të larta të hoteleri-turizmit në Shqipëri. Diplomat Hotel bën pjesë në elitën e industrisë së hoteleri-turizmit në vendin tonë. Vizioni i kompanisë është, që përmes ofrimit të shërbimeve të qëndrueshme, konsistente dhe cilësore, të njihet si zinxhir hotelesh i zgjedhjes së parë në industrinë e hoteleri-turizmit në Shqipëri. Që në vitin 1993, Diplomat Hotel ka kontribuar për rritjen e standardeve të hoteleri-turizmit në vend. Edhe sot e kësaj dite, ecet me  po atë energji dhe ngazëllim për të vazhduar përpara dhe për t’i shtuar vlera përvojave të klientëve. Diplomat besojnë te sinergjia që buron nga ambienti familjar duke e konsideruar si një element kyç për ofrimin e shërbimeve të veçanta dhe për ta bërë qëndrimin të paharrueshëm. Gjithçka fillon nga klientët. Të dy hotelet prodhojnë energji të gjelbër përmes paneleve diellore, që janë të instaluara në secilën godinë duke e konsideruar qëndrueshmërinë mjedisore një element thelbësor të së tashmes dhe së ardhmes.

Share this post