DHTI-Tiranë dënon sulmin ndaj ambienteve të saj!
DEKLARATË PËR MEDIA
DHTI-Tiranë dënon sulmin ndaj ambienteve të saj
Më 28 nëntor 2026, rreth orës 17:00, ambientet e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë u sulmuan me lëndë djegëse dhe mjete ndezëse të improvizuara, duke shkaktuar zjarr dhe dëme materiale në godinë.
Sipas informacioneve paraprake, sulmi është kryer nga një grup prej tre personash, të cilët kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në ambientet e institucionit.
Sulmi ndaj Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë nuk është thjesht një akt dhune ndaj ambienteve të saj, por një goditje ndaj zërit dhe përfaqësimit të bizneseve në Tiranë, të cilat i kanë besuar këtij institucioni mbrojtjen e interesave të tyre. Një akt i tillë cenon sigurinë dhe përfaqësimin e lirë e të pavarur të sipërmarrjes.
Shprehim mirënjohjen tonë për kalimtarët e rastit dhe bizneset pranë godinës, të cilët ndërhynë të parët për shuarjen e flakëve, si dhe falënderojmë Policinë e Shtetit dhe shërbimin zjarrfikës për ndërhyrjen e tyre.
Autoritetet kompetente kanë mbledhur provat në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të saj.
Dënojmë me forcë këtë akt të rëndë dhune dhe u bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse ta ndjekin hetimin me imtësi dhe përgjegjshmëri maksimale, me qëllim identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë.
Njëkohësisht, bëjmë thirrje për distancim të qartë nga akte të tilla, që rrezikojnë sigurinë dhe dëmtojnë pronën. Do të bashkëpunojmë plotësisht me organet kompetente dhe do të vijojmë pa ndërprerje misionin tonë në përfaqësim të bizneseve në Tiranë.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë
