Linda Shomo: Suksesi im, zgjedhja e duhur në momentin e duhur
Një zonjë shumë e thjeshtë në komunikim. A thua se e njeh prej vitesh që në telefonatën e parë që bën me të. Duket se vitet e punës i kanë dhuruar asaj qetësinë për të qenë në një komunikim të vazhdueshëm dhe larg barrierave. Ndan me ne eksperiencën e saj, suksesin që pa dyshim mbeten dy fëmijët e saj dhe ftesën e sinqertë që bën për të eksploruar në tregun të cilit i përket. A duhej të bëheshin gjërat më mirë, a ka vend për përmirësime, a ka treg të mbingopur? Për të gjitha këto Linda jep përgjigjet e saj, duke kërkuar nga të gjithë që të jenë të guximshëm në atë çka duan të bëjnë në jetë dhe të përfshihen në punët që i kanë me pasion, pasi sipas asaj aty qëndron dhe suksesi.
Kur e keni filluar biznesin tuaj, çfarë produkti ose shërbimi ofroni për tregun ?
Biznesin e kam filluar që në vitin 2006 por Easypay filloi në vitin 2010. Deri në 2010 kompania quhej ISCS dhe merrej me “IT consulting”. Aktualisht Easypay ofron një gamë të gjerë pagesash online dhe me celularë në tregun shqiptar. Gjithashtu ne ofrojmë dhe me transferta parash të remitancave nga e gjithë bota nëpërmjet kompanisë internacionale, RIA Money transfer, e 3ta më e madhe në botë në këtë sektor.
Si është të jesh sot një grua në biznes?
Është bukur por dhe shumë e vështireJ Duke drejtuar një kompani teknologjike financiare siç është Easypay, vështirësitë janë të 3 llojeve: 1) sepse ke të bësh me botën digjitale që po pëson një revolucion të vërtetë në mbarë botën; 2) të bësh biznes në Shqipëri nuk ka qenë kurrë e lehte dhe aq më tepër sot kur konkurrenca po bëhet gjithnjë e më e fortë, sidomos në sektorin financiar; 3) për më tepër të drejtosh kompaninë e vetme, si një grua themeluese dhe ekzekutive, kur dihet që akoma sektori financiar (dhe ai i ICT) është dominant nga meshkujt, sigurisht nuk është e lehtë..
Me sa punonjës e keni nisur punën në kompani dhe sa keni sot?
E kemi nisur me 2 veta në 2010-tën dhe sot jemi 33 veta.
Nëse do të ishit kthyer disa vite më parë do të bënit sërish të njëjtën gjë?
Them se Po, sepse e kuptoj që puna që bëj është pasioni im, pavarësisht vështirësive pa fund që has çdo ditë dhe 2) mendoj që ka qenë zgjidhja e duhur, në momentin e duhur dhe në vendin e duhurJ
A e ndani sipërmarrjen tuaj me bashkëshortin dhe a jua ka bërë punën më të lehtë apo ju ka penalizuar në raste të caktuara?
Unë e drejtoj e vetme Easypay, kështu që nuk e ndaj kohën me bashkëshortin gjatë punës. Sigurisht duke qenë partneri im në jetë ka qenë dhe partneri më i mirë në biznes, falë dhe eksperiencës së tij shumë të gjatë në botën e biznesit, kështu që pothuajse çdo ditë gjejmë mundësinë e ndonjë shkëputje nga zyra për të diskutuar së bashku mbi problemet e ditës dhe mënyrat e zgjidhjes.
Si është te jesh nënë, si e menaxhon kohën e saj dhe a mendoni që keni qenë mjaftueshëm prezente për fëmijët e tu kur ata kanë patur nevojë? Sa ke ndikuar në formimin e tyre?
Unë jam nëna e dy fëmijëve, Deivis 22 vjeç dhe Megan 18, të dy fatmirësisht deri tani shumë të suksesshëm në karrierën e tyre akademike. Djali studion në Austri, ndërsa vajza është në mature sivjet dhe po përgatitet të ikë jashtë për studime vitin e ardhshëm akademik. Sigurisht të qenurit nënë është prioriteti më i rëndësishëm i jetës time dhe mundohem të bëj maksimumin tim për to (si çdo nënë tjetër besoj). Balanca “Ëork-Life” është një ndër sfidat më të mëdha të femrave në biznes, kudo në botë, por gjithmonë kam qenë e parimit që nuk ka rëndësi sa kohe kalon me to (sepse gjithmonë do jetë e pamjaftueshme), por sa efektive dhe cilësore është ajo. Parimi i dytë që më bën optimisite për fëmijët është modeli që ti u jep atyre si prind; nëse ne jemi të suksesshëm në atë çfarë kemi realizuar, fëmija ka një model terë kohës përpara syve dhe shanset janë që do e ndjekë atë model dhe do bëhet në të ardhmen një njeri akoma më i mirë dhe i suksesshëm.
Cili ka qenë një moment suksesi që ka vendosur të ardhmen tuaj në sipërmarrje dhe a keni patur raste kur keni thënë mjaft nuk mund të vazhdoj më?
Në 8 vjet histori drejtimi të Easypay sigurisht që ka pasur disa momente suksesi që kanë qenë shumë domethënëse për të ardhmen e kompanisë. Një moment i para dy viteve që po më bie ndër mend (dhe ndër me kryesoret) është momenti kur ne krijuam partneritetin e parë internacional me kompaninë e transfertave të parave Ria International. Ai ndryshoi komplet rrjedhën e suksesit të Easypay. Sigurisht bashke me suksesin rriten dhe vështirësitë, e rëndësishme është të dish të ngrihesh, t’i kapërcesh dhe të bëhesh më e fortë.
Ndryshe nga fillesat tuaja të biznesit, çfarë politikash nxitëse mendoni se duhet të ndërmarrë qeveria për mbështetjen e gruas sipërmarrëse, do të mund të bëhej më mirë?
Ka shumë mënyra incentivuese për gratë në biznes. Së pari do e filloja që me edukimin, ku që në universitet (apo dhe ne gjimnaz) qeveria duhet të investojë në shpirtin e sipërmarrjes në mënyrë që idetë dhe iniciativat të lindin që në moshë të re. Të paktën në fushën ku ne punojmë mund të them që oportunitet dhe në Shqipëri janë pa fund, sepse ndërkohë që bota ka mbi 30 vjet që po operon me tregtinë elektronike (E-commerce) dhe tashme ajo është totalisht e fokusuar në M-commerce (tregtia me celulare), Shqipëria ka shansin që prej pak vitesh (3-4 vitesh) po i zhvillon të dyja këto revolucione në të njëjtën kohe. Tregu është akoma i virgjër në shërbime digjitale që do ndryshojnë komplet proceset e të punuarit apo të shërbyerit të qytetarëve. Së dyti, incentivat e qeverisë duhet të jenë prezente me financime dhe trajnime ku megjithëse ka patur ca të tilla vitet e fundit, përsëri mendoj që janë shumë të pakta dhe pak të prekshme nga shumica e vajzave apo grave shqiptare.
Rreth EasyPay
EasyPay është një nga kompanitë FinTech kryesore në Shqipëri që prej 8 vjetësh. Ne jemi një platformë gjithëpërfshirëse pagesash digjitale që u jep mundësinë njerëve të bëjnë pagesa brenda portofolit tonë të gjerë të shërbimeve lokale, duke kursyer kohë, para dhe duke rritur rehatinë. Klientët mund të kreditojnë portofolin e tyre EasyPay me para në dorë tek një nga 380 pikat tona në Shqipëri, me kartë ose direkt nga llogaria bankare. Duke ofruar alternativa të sigurta dhe gjithëpërfshirëse, të gjithë njerëzit, qoftë ata pa llogari bankare ose ata që disponojnë një të tillë, kanë mundësinë të aksesojnë shërbimet financiare digjitale dhe të bejnë pagesa online dhe nga celulari në kohë reale. Klientët tanë gjithashtu mund të përfitojnë nga portofoli i shërbimeve tona edhe fizikisht në 380+ pika shitje EasyPay në Shqipëri. EasyPay punon me institucione të ndryshme private dhe publike për të lehtësuar jetët e njerëzve dhe për të rritur numrin e shërbimeve nga të cilat mund të përfitojnë. Partneri ynë më i fundit ndërkombëtar është Ria Money Transfer, një nga tre operatorët më të mëdhenj për Transfertave e Parave në botë.
Misioni:
Që nga viti 2010, EasyPay ka qenë pionere në zhvillimet teknologjike në Shqipëri, ka zgjeruar biznesin e saj dhe ka qëndruar në ballë në çdo fazë të revolucionit digjital financiar global. E licensuar nga Banka e Shqipërisë si një institucion financiar jobankë në vitin 2010 dhe si institucion i parasë elektronike në vitin 2015, EasyPay ishte kompania e parë në vend që prezantoi pagesat online dhe nga celulari dhe e para kompani që krijoi një aplikacion të pagesave celulare të arritshme për të gjithë në shoqëri, si për njerëzit që kanë një llogari bankare ashtu dhe ata që nuk disponojnë një të tillë. Misioni ynë është që t’i bëjmë të gjitha pagesat aq lehtë sa një klik për çdo qytetar në shoqëri, duke përdorur teknologjitë dhe inovacionin më të fundit.