Panaire dhe Evente

Panaire dhe Evente

Panairet e përvitshme janë pikëtakime të rëndësishme mes biznesit dhe konsumatorit.

Informimi dhe edukimi i qytetarëve mbetet prioritet i DHITIT. Përmes këtyre hapësirave të përbashkëta, bizneset promovojnë dhe shesin produktet e tyre, kurse qytetarët shfrytëzojnë mundësinë për të përfituar nga kontakti i drejtpërdrejt.

Eventet më të rëndësishme që zhvillohen në periudha të ndryshme të vitit:

  • CCIT Awards

Kjo mbrëmje e konceptuar si një festë e madhe për të gjithë sipërmarrësit, partnerët, bashkëpunëtorët e DHTIT, e që organizohet në fund të janarit, nderon me çmime anëtarët e saj, si vlerësim për arritjet e biznesit në sektorë të ndryshëm gjatë vitit.

Këtij aktiviteti i bashkohen edhe bizneset nga rajoni, si rrjedhojë e marrëdhënies dhe bashkëpunimit me Dhomat homologe të Maqedonisë veriperëndimore dhe Kosovës.

  • Work & Study

Një rrugëtim i nisur që prej vitit 2010, panairi “Work and Study” është kthyer tashmë në një traditë.

Kompanitë e mëdha të biznesit dhe institucionet arsimore private e publike prezantojnë gjatë periudhës shkurt-mars ofertat më të mira të punësimit dhe studimit, numri i të cilave është shumëfishuar në mënyrë progresive vit pas viti.

  • Health & Beauty Care

Rritja e ndërgjegjësimit individual dhe kolektiv është thelbësore. Ky panair organizohet në muajin tetor dhe i kushtohet dermokozmetikës, bukurisë dhe kujdesit shëndetësor.

  • Green Fest

Panairi më i madh bujqësor e blegtoral që hap dyert për fermerë, blegtorë dhe sipërmarrës shqiptarë. Marrin pjesë 50 biznese të sektorëve të produkteve të konsumit dhe 150 fermerë. Zhvillohet në fund të muajit shtator.

  • Panairi i fëmijëve

I konceptuar me moton “Festivali Veror i Talenteve”, ky panair është krijuar në vitin 2005 dhe është një platformë multifunksionale. Organizohet çdo fillim qershori dhe promovon biznesin vendas e të huaj nëpërmjet ekspozimit dhe shitjes së produkteve të tyre, si dhe nxit zhvillimin e kapaciteteve sipërmarrëse te fëmijët dhe komuniteti gjithëpërfshirës.

  • Expo-Medical.al

Firma të shumta që operojnë në fushën e mjekësisë, të shëndetit dhe të farmaceutikës brenda dhe jashtë vendit bëhen bashkë për të dëshmuar se mënyrat për të jetuar një jetë sa më të shëndetshme mbështeten mbi një kulturë të mirë shëndetësore.

  • Medical & Beauty Fair

“Medical & Beauty Fair”, një nga panairet me të rëndësishme kushtuar dermatologjisë, kujdesit dhe shërbimeve shëndetësore, do të rikthehet në datat 3-4 Maj 2024 në Pallatin e Kongreseve, Tiranë.

Ministria e Shëndetësisë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Shoqata e Dermatologjisë dhe Venerologjisë Shqiptare do të jenë organizatoret kryesore të këtij panairi, i cili do t’i dedikohet prezantimit të gjithë gamës së gjerë mjekësore, duke filluar nga medikamentet, pajisjet mjekësore e deri te shërbimet spitalore dermatologjike.

Duke u fokusuar në problematikat më të mëdha të bukurisë dhe shëndetit, ky event synon ndërgjegjësimin dhe rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor.