CEFTA

CEFTA

MARRËVESHJA E TREGTISË SË LIRË PËR VENDET E BALLKANIT JUGLINDOR

(Shqipëri, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Bosnje Hercegovinë, Kosovë, Serbi).

Shqipëria shënoi 13 vjet anëtarësim në CEFTA.

CEFTA është një marrëveshje që mbështetet në parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe Bashkimit Europian. Shqipëria, si vend anëtar i CEFTA-s, zbaton me rigorozitet protokollin për lehtësimin e tregtisë me vendet anëtare të CEFTA-s. duke filluar nga transparenca në ligjet, rregullat dhe procedurat e tregtisë, shkëmbimi elektronik i dokumenteve që shoqërojnë mallrat, njohje automatike e dokumenteve dhe testeve laboratorike, unifikimi i orareve në pikat e kufirit etj.

CEFTA ka një rol shumë të rëndësishëm në mënyrën se si ne e shikojmë të ndërlidhur Ballkanin, si ne e shikojmë rritjen ekonomike dhe si duhet të punojnë bizneset me njëri-tjetrin në këtë hapësirë rajonale ekonomike.

Përfitimet nga CEFTA në rajon

Kooperimi ekonomik rajonal nëpërmjet CEFTA solli përfitime për të gjitha palët:

(i) CEFTA është mënyra më e mirë për të mobilizuar mjetet ekonomike për të arritur stabilizimin e qëndrueshëm politik dhe ekonomik të të gjitha vendeve të rajonit,

(ii) CEFTA është një mjet i fuqishëm ekonomik për rimëkëmbjen ekonomike të vendeve pjesëmarrëse. Tregtia rajonale ka provuar të jetë më elastike ndaj krizës ekonomike se sa tregtia me BE-në. Rënia e flukseve tregtare rajonale ishte më e ulët, rimëkëmbja erdhi më shpejt. Për më tepër, vetëm një treg që funksionon si CEFTA mund të rrisë avantazhet konkurruese të rajonit si tërësi për të tërhequr me IHD,

(iii) CEFTA përfaqëson një “fushë të trajnimi” të shkëlqyer për pjesëmarrje të suksesshme në të ardhmen në tregun e BE-së.

Shkëmbimet tregtare në CEFTA dhe ndikimi në Shqipëri

Zhvillimet integruese rajonale përgjatë këtyre viteve janë shoqëruar me rezultate të rëndësishme në drejtim të lehtësimeve tregtare, të nisura me heqjen e pengesave tarifore për produktet industriale e më pas edhe ato bujqësore.

Të dhënat e 13-vjeçarit sipas modelit Egger dhe Nilsson dëshmojnë në përgjithësi se rajoni i Ballkanit Perëndimor karakterizohet nga nivele relativisht të larta të hapjes tregtare. Ecuria e indeksit të hapjes tregtare në vitet e fundit ka qenë kryesisht në rritje. Trendi pëson thyerje në vitin 2008 për shkak të krizës ekonomike financiare. Megjithatë, indeksi i hapjes tregtare për disa nga vendet, përfshirë edhe Shqipërinë, është nën mesataren e rajonit, duke shfaqur qartë domosdoshmërinë për vazhdimin e reformave në funksion të rritjes së hapjes tregtare me botën.

Ky zhvillim rrjedh si rezultat i dy proceseve të rëndësishme.

  • Së pari, integrimi europian nëpërmjet Marrëveshjeve të Stabilizim Asociimit siguroi një kuadër të liberalizimit tregtar, që bëri të mundur lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve.
  • Ky proces krijoi edhe kornizën e bashkëpunimit tregtar rajonal, nëpërmjet CEFTA, me qëllim implementimin e një zone të tregtisë së lirë midis vendeve në tranzicion, kryesisht pjesë e BP.

Në vitet e fundit, partneri kryesor tregtar i CEFTA-s ka qenë Bashkimi Europian. Në vitin 2013, CEFTA ka realizuar 64% të eksporteve dhe 33% të importeve me BE-në. Në vitin 2015, rreth 70% e eksporteve janë realizuar me vendet e BE-së, ndërsa në importe partnerë të tjerë të rëndësishëm konsiderohen Rusia (8%) dhe Kina (10%). Lidhur me eksportet, vendet e CEFTA-s janë të varura nga tregjet europiane, element i cili nxit për përpjekje të mëtejshme drejt integrimit me Bashkimin Europian. Eksportet e CEFTA-s varen në një shkallë të lartë nga kërkesa agregate e BE-së. Një ndryshim i lehtë në nivelin e PBB-së, të kësaj zone rezulton në një ndryshim të madh në eksportet e CEFTA.

Procesi i dytë i rëndësishëm i vendeve në tranzicion lidhet me hapjen ndaj flukseve të kapitalit dhe investimeve të huaja, proces i cili ndihmoi në krijimin e linjave të reja tregtare për industri të veçanta, dhe më tej në rritjen e vëllimit tregtar në rajon.

Në rastin e Shqipërisë, hyrjet vjetore të IHD janë rritur ndjeshëm që prej vitit 2008, mesatarisht me rreth 1 bilion USD në vit për periudhën 2008 – 2015. Periudha aktuale, në veçanti, ka një fluks më të lartë të IHD.

Mesatarja e hyrjeve tremujore të IHD-ve në periudhën T1 – 2010 – T3 – 2013 ishte 187 milionë euro, ndërkohë që mesatarja tremujore e hyrjeve të IHD-ve për periudhën T4 – 2013 – T4 – 2015 ishte 228 milionë euro.

Për vitin 2015, të ardhurat nga IHD-të kanë pasur rritje në vlerë prej 12 milionë euro, në krahasim me vitin 2014. Në fund të vitit 2015 rezultuan që janë regjistruar 1038 ndërmarrje me kapital 100% të huaj.

Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e Ballkanit Perëndimor janë rritur me rreth 4,9 herë përgjatë 10 viteve të fundit; në vitin 2015 shkëmbimet tregtare me rajonin zunë 9,6% të shkëmbimeve tregtare të vendit, pra 2.4 herë më të LARTA se 2006-a.

Eksporti në CEFTA është rritur 6 herë në 10 vite, ndërsa importi është rritur 5.7 herë në 10 vite.

Eksporti në CEFTA është bërë 2 herë më konkurrues. Kështu:
Në CEFTA – për 1000 ALL Import 840 ALL Eksport
Në botë – për 1000 ALL Import 470 ALL Eksport
Në BE ­- për 1000 ALL Import 544ALL Eksport

Partneri kryesor në eksportet e Shqipërisë me rajonin është Kosova, me një peshë kundrejt eksporteve totale ndaj rajonit prej 60,5% në 2015, nga 50,2% në 2006.

Nëse hedhim një vështrim në tregtinë brenda CEFTA-s (Intra-CEFTA), ndihet nevoja për integrim më të gjerë. Në vitin 2015, vetëm 17% e eksporteve dhe 10% e importeve kryhet midis vetë vendeve të CEFTA-s. Si rrjedhim, më pak barriera dhe më shumë lehtësi do të kontribuojnë në rritjen e tregtisë në CEFTA.

Udhëzim Kosovë – Shqipëri => 

Çfarë synohet

“Komisioni Europian do të vazhdojë të mbështesë procesin e integrimit rajonal ekonomik si nga pikëpamja e politikës, por edhe përmes mbështetjes direkte financiare”, tha drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Genoveva Ruiz Calavera, në takimin e Podgoricës më 9 dhjetor 2016.

Por, çfarë duhet të bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor për të bërë të mundur realizimin e ambicies për një Zonë Ekonomike Rajonale (MAP REA)?

Për të arritur këtë, së pari duhet parë si çështje me prioritet zbatimi sa më i shpejtë i marrëveshjes së CEFTA për lehtësimin e tregtisë. Së dyti, është e rëndësishme të përfundojnë sa më shpejt – mundësisht para Samitit 2017 në Itali- negociatat e CEFTA për liberalizimin e tregtisë në shërbime. Së treti, është e rëndësishme që palët e CEFTA të bien dakord me masat e mëtejshme që mund të përfshijnë sipas këndvështrimit të BE, harmonizimin e operatorëve ekonomikë kombëtarë të autorizuar, njohjen reciproke të diplomave dhe kualifikimeve profesionale për profesionet e zgjedhura, një rrjet të plotë të marrëveshjeve të kalimit kufitar, për të siguruar implementimin e axhendës së ERP 2016-2018 dhe mbështetje për rritjen e shkëmbimeve B2B.

Angazhimet rajonale dhe këto reforma të ndërmarra synojnë pikërisht orientimin drejt një modeli të ri ekonomik që mbështetet në prodhimin vendas dhe punësimin real. Nëpërmjet rritjes së produktivitetit dhe inovacionit, mbështetur edhe nga potenciali i tregtisë dixhitale, strukturat prodhuese përfitojnë nga zgjerimi i zinxhirit të vlerës duke synuar rritjen e eksporteve.

Dinamika e krijuar në këto angazhime ka kontribuar fort në përmirësimin e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë në rajon. Fokusi i këtij procesi qëndron qartësisht në nxitjen e mëtejshme të konektivitetit në termat e transportit, energjisë dhe marrëdhënieve midis njerëzve.

Për mbështetjen e ndërlidhjes në energjetikë dhe transport, rol të rëndësishëm luajnë edhe të ashtuquajturat “masa të buta”, zbatimi i të cilave është shumë i rëndësishëm për energjinë e integruar dhe rrjetet e transportit.

Në mbarëvajtjen e këtyre angazhimeve, mbështetja e Komisionit Europian, Observatorit të Transportit të Europës Juglindore dhe Sekretariatit të Energjisë ka qenë dhe do të jetë e vazhdueshme për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Prandaj CEFTA ka një rol shumë të rëndësishëm në mënyrën se si ne e shikojmë të ndërlidhur Ballkanin, se si ne e shikojmë rritjen ekonomike dhe si mendojmë që duhet të punojnë bizneset me njëri-tjetrin në këtë hapësirë rajonale ekonomike.

Dhoma e Tregtise dhe industrise Tiranë ka implementuar me sukses në vitet 2002-2017 projektin per implementimin e CEFTA-s në Dhomat e Tregtisë rajonale, financuar nga DIHK, (Unioni i Dhomave të Tregtisë së Gjermanisë dhe Ministria e Financave e Gjermanisë, për të informuar e trajnuar bizneset rajonale në lidhje me këtë marrëveshje nga e cila përfitojnë).

Vazhdojmë të trajnojmë anëtarët tanë dhe bizneset në lidhje me këtë marrëveshje. Bashkëngjitur do të gjeni edhe një udhëzues në gjuhën shqipe për zbatimin e njejësuar të kumulimit të plotë të mallrave dhe tërheqja nga detyrimet doganore kryer nga eskpertët e kontraktuar nga GIZ, Gjermani, që do të jetë në ndihmë të importuesve dhe eksportuesve shqiptarë.