Lida Hoxha: Pacientët e kënaqur, dëshmi e suksesit dhe e dëshirës time për të ecur para

Lida Hoxha: Pacientët e kënaqur, dëshmi e suksesit dhe e dëshirës time për të ecur para

Lida Hoxha: Pacientët e kënaqur, dëshmi e suksesit dhe e dëshirës time për të ecur para

Dermolife është një emër i njohur në tregun tonë. Rastet e suksesit të pacientëve shtohen çdo ditë, duke u shtuar besimi i kësaj poliklinike. Në krye të saj është një zonjë e brishtë me sy që i shkëlqejnë gjithmonë dhe që të pret në çdo orë që ti mund të paraqitesh. Lida e ka nisur udhën e saj 17 vite më parë dhe nëse në fillimet e saj kishte 2 punonjës, sot ajo e ka kthyer mirëfilli në një poliklinikë me 35 punonjës dhe bashkëpunëtorë të huaj, mjekë të njohur nga e gjithë bota. Për të, të qenurit nënë është profesioni më i bukur në botë, ku megjithë impenjimin e saj në punë, e gjen gjithmonë kohën për ta, për t’i ndjekur në udhën e formimit të tyre. Ka qenë gjithmonë e bindur për hapat që ka hedhur dhe nuk ka patur asnjë moment dyshimi për të hequr dorë. Sot përfshirjen e femrës në biznes dhe jo vetëm e sheh më të madhe dhe të përgjegjshme dhe e thotë jo me pak krenari, që gruaja ja del në çdo gjë.

Kur e keni filluar biznesin tuaj, çfarë produkti ose shërbimi ofroni për tregun?

Biznesin e kam filluar 17 vjet më parë, fillimisht nisi si një klinikë dermatologjike dhe më pas, me dëshirën dhe vullnetin për të vazhduar më tej vendosa që të krijoj një poliklinikë të mirëfilltë estetike, sigurisht duke u konsultuar dhe duke marrë nga eksperienca e klinikave më në zë europiane.

Si është të jesh një grua në biznes?

Sigurisht që nuk është një profesion i thjeshtë të themi, sidomos në Shqipëri në të cilën gjithmonë ka dalluar patriarkalizmi dhe gruaja është parë si një person shumë sensibël dhe jo shumë e aftë për të qenë sipërmarrëse. Por vitet e fundit dhe eksperienca kanë treguar që ne gratë mundemi të jemi sipërmarrëse të zonjat si dhe shumë të afta për të arritur qëllimet dhe synimet tona. Patjetër që jam në një sfidë të vazhdueshme dhe ka vështirësi, por mund të them se deri më sot ja kam dalë më së miri.

Me sa punonjës e keni nisur punën ne kompani dhe sa keni sot?

Fillimisht poliklinika Dermolife ka nisur vetëm me dy punonjës, vetëm kaq! Me kalimin e viteve, me dëshirën si dhe punën e vazhdueshme, risitë dhe inovacionet sot kemi arritur një numër të konsiderueshëm punonjësish dhe momentalisht numërohen 36 punonjës të profileve të ndryshme si dhe të huaj.

Nëse do të ishit kthyer disa vite me parë do të bënit sërish të njëjtën gjë?

Absolutisht do të bëja të njëjtën gjë, do të punoja me të njëjtin intensitet si sot, do të kisha të njëjtat synime që kam sot dhe të njëjtin pasion dhe dëshirë që më udhëheq për të ecur gjithnjë përpara.

Si është të jesh nënë, si e menaxhoni kohën dhe a mendoni se keni qenë mjaftueshëm prezente për fëmijët e tu kur ata kanë pasur nevoje? Sa ke ndikuar në formimin e tyre?

Të qenurit nënë, është me plot gojën profesioni më i bukur që mund të kisha ndonjëherë. Të pasurit këtë status më ka bërë të ndihem e kompletuar si dhe më ka motivuar gjithmonë për të vazhduar më tej, për fëmijët, për t’u dhënë një shembull që vetëm me punë dhe shumë sakrifica mund të arrihen synimet në jetë. Puna zë një pjesë të madhe të kohës sime, por patjetër që kam qenë dhe jam prezente në jetën e fëmijëve të mi, në momentet e tyre më të rëndësishme. Jam gjithmonë e hapur me ta për t’i ndihmuar por edhe t’i këshilluar si nënë dhe si një grua në karrierë.

Cili ka qenë një moment suksesi që ka vendosur të ardhmen tuaj në sipërmarrje dhe a keni patur raste kur keni thëne mjaft, nuk mund të vazhdoj më?

Moment suksesi nuk ka qenë vetëm një, por le të themi që pacientët e kënaqur, ata që na vlerësojnë dhe na falenderojnë çdo ditë, janë dëshmitë e suksesit të poliklinikës Dermolife, si dhe fakti që e përmenda më lart, ajo çka në fillim nisi si diçka e vogël me dy punonjës, tashme ka avancuar dhe është një biznes me 36 punonjës. Asnjëherë nuk kam thënë mjaft më, pavarësisht lodhjes, pengesave. Gjithmonë kam dashur të vazhdoj dhe të eci përpara, të sjell risi, të guxoj dhe të kem një biznes me standarde europiane.

Ndryshe nga fillesat tuaja të biznesit, çfarë politikash nxitëse mendoni se duhet të ndërmarrë qeveria për mbështetjen e gruas sipërmarrëse, a ka gjëra që do të mund të bëheshin më mirë?  

Gratë duhet të mbështeten gjithmonë, jo vetëm si sipërmarrëse por edhe për rolin fisnik që kanë në familje dhe në shoqëri. Mendoj se tashmë numri i grave sipërmarrëse është rritur si dhe roli i tyre në procese vendimmarrje apo në krye të institucioneve. Kështu që është thyer pak ai miti që meshkujt janë dhe kanë gjithmonë në kryesi të gjithçkaje. Ka ende vend për përmirësim dhe për arritjen e barazisë gjinore, por çdo hap sado i vogël kur shkon në drejtimin e duhur numërohet.

Dermo Life

Dr. Lida Hoxha është Drejtore Ekzekutive e Poliklinikës Dermo Life. Ajo është diplomuar në vitin 1994 në mjekësi, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe më pas në vitin 1998 përfundon specializimin në Dermoestetike në qendrën studimore në Mjekësi Estetike, Verona. Po kështu në vitin 1999-2000 realizon kurs teoriko-praktik në trajtimet estetike të lëkurës në Institutin Lakshmi, Verona, Itali. Në periudhën 2000-2001 specializohet në Laser Deka, Firence, Itali. Në vitin 2003 ajo themelon kabinetin Dermo-Estetik ‘Dermo Life’ dhe në vitin 2005 hap laboratorin Klinik-Biokimik në kabinetin Dermo Life. Në vitin 2007 Lida, themelon dhe drejton poliklinikën me shërbimet Dermatologji, Mjekësi Estetike, Kirurgji Estetike, Kirurgji Rikonstruktive, Mikrokirurgji, Kardiologji, Obstetrikë-Gjjinekologji. Bashkëpunon me mjekë me famë botërore.  Pas vitit 2010 kur merr master Sidec në Mjekësi Estetike, themelon në vitin 2016 Dermo Life Academy.  Në vitin 2017 ajo themelon Qendrën Mjekësore për trajtimin e Obezitetit duke bashkëpunuar me profesorët më të mirë të Harvard University. Lida Hoxha është pjesëmarrëse në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Botuese e materialeve mjekësore në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Share this post