Lindita Legisi: Tri arsyet pse Omega është kompania ndryshe në treg
Lindita e ka nisur udhën e saj të biznesit që kur ishte studente. Fillimisht si përkthyese dhe me punën e saj mbërriti të ngrejë kompaninë e vet. Sot pas kaq vitesh të thotë që ndoshta ka patur momente luhatje në biznesin e saj, por qenia nënë e ka motivuar të jetë me e përgjegjshme dhe të ecë në udhën që nisi shumë vite më parë. Ajo beson tek forca e gruas dhe është e bindur fort që për shoqërinë mund të japësh më të mirën nëse punon fort dhe je një shembull për ta. Këtë përpiqet të ushqejë dhe për fëmijët e saj, punën dhe edukatën për punën, si një rrugë e vështirë por e sigurtë. A është përkushtuar si duhet për familjen e saj? Ajo thotë që tashmë përpiqet të bëjë më të mirën për ta, duke ju lënë të vetmen trashëgimi-dëshirën për punë por pa imponuar në vendimmarrjet për të nesërmen e tyre. Është falenderuese për të gjitha ato zonja që janë bashkuar që në ditën e parë me të dhe vijojnë sot e kësaj dite të punojnë në kompaninë e saj. E ka nisur punën e vetme dhe sot ka një staf prej 180 punëtorësh. Beson fort që kualifikimi është një domosdoshmëri dhe është e bindur që burimet njerëzore janë bazë suksesi për një sipërmarrje.
Si është të jesh sot një grua në biznes dhe specifikisht të jesh në këtë lloj fushe ku ju operoni?
Është kënaqësi dhe respekt ndaj vetes dhe figurës si grua të arrish të drejtosh një biznes, dëshirë për të dhënë më të mirën nga qetësia, mirësia dhe dashuria e një gruaje ndaj njerëzve me të cilët punon.
Je e motivuar sepse kupton që mund të japësh shumë në këtë shoqëri duke dhënë shembullin, se çdo gjë arrihet nëse punon fort. Por kjo fjale “fort” në Shqipëri, do të thotë të sakrifikosh nga brenda vetes. Të sakrifikosh atë që unë e quaj më të shtrenjtë, kohën e përkëdheljeve të nënës ndaj fëmijëve, dhe pjesa më e madhe e vajzave, grave dhe nënave kane sakrifikuar në kohë dhe impenjim në këtë sektor. Është një punë që bëhet me shumë pasion dhe impenjim maksimal fizik, që në krahun tjetër nuk të jep të njëjtin rezultat ekonomik.
……si është sot?
Duhet të punosh me të njëjtin ritëm dhe impenjim si para 20 vitesh që të mund ta mbash këtë që ke arritur, ndërkohë që mosha nuk është më e njëjtë, por 20 vjet më e madhe. Duhet të jesh gjithmonë prezent me të gjithë dhuntitë e tua që ta çosh përpara, që njerëzit rreth teje të ecin me hapin tënd dhe të mbartin të njëjtin pasion.
Prej sa vitesh jeni në sipërmarrje dhe çfarë sjell ndryshe sot biznesi në vendin tonë?
Në vitin 1992 studente e gjuhëve të huaja, e kam filluar si përkthyese pranë bizneseve të para në këtë fushë e në vitin 1995 kam krijuar kompaninë e parë. Sot shoh që është e lehtë të krijosh biznes, dhe terreni e mundësitë janë të shumta. Ne na u desh të krijonim dhe punonim fort për edukatën e punës dhe dëshirën për të punuar, gjë që e gjejmë rralle tek te rinjtë e sotëm për të punuar në këtë sektor. Nuk dua t’i paragjykoj se cila është arsyeja e tyre, por pa të rinjtë që mund të hyjnë në këtë sektor, mendoj që zhvillimi do të ndalojë një ditë e atëherë mundi ynë do të mbetet si fotografi nëpër letra që dikur punohej në konfeksione….kaq e aq…
Çfarë e bën ndryshe nga një kompani tjetër që operon po në këtë fushë?
Dëshira, vullneti, impenjimi për të drejtuar, administruar dhe praktikuar drejt e korrekt sipas maksimales që të ofron Shqipëria. Është kënaqësi që emri i kompanisë rekomandohet nga të gjitha institucionet shtetërore drejt të huajve si kompani e rregullt, korrekte, ndaj të gjitha detyrimeve. Është kënaqësi që punonjëset që janë që nga dita e parë e krijimit, vazhdojnë të punojnë pranë teje, për të cilat ndiej respekt dhe detyrim. Është sadisfaksion profesional kur marka të njohura kërkojnë të bashkëpunojnë me ty, si rezultat i standardit që u ofron. Për të tria këto arsye mendoj që Omega është një nga kompanitë ndryshe, siç doni ta quani ju.
Nëse do të ishit kthyer disa vite më parë do të bënit sërish të njëjtën gjë?
Për dëshirën dhe pasionin për të hyrë në biznes, po.
Si është Lindita nënë, e menaxhon kohën e saj dhe a mendoni që je mjaftueshëm prezente te fëmijët tuaj? A do të ndikonit në formimin e tyre dhe do donit që ata të ndiqnin rrugën tënde?
Mundohem të bëj maksimumin tim, e thashë dhe më lart që ndihem në detyrim ndaj fëmijëve të mi për kohën që u kam kushtuar. Tani mundohem që të bëj sa më shumë për ta dhe t’i orientoj drejt dëshirave dhe dhuntisë që ata shfaqin. Nuk do t’ju imponoj asgjë nga puna ime, do të jenë ata që do të bëjnë zgjedhjen e tyre kur të vijë momenti. Do t’i mbështes me sa të mundem që ata të bëjnë zgjedhjen e drejtë.
Cili ka qenë një moment suksesi që ka vendosur të ardhmen tuaj në sipërmarrje dhe a keni patur raste kur keni thënë mjaft nuk mund të vazhdoj më?
Guximi, pasioni, dëshira e një vajze të re për të hyrë në një botë biznesi pa asnjë lloj informacioni apo kulture të trashëguar, por me përuljen dhe dëshirën për të mësuar e dëgjuar gjithçka më ofronin. Këtë do ta quaja pikënisjen time në biznes me gjithë kulmet e sadisfaksionit të emrit që krijon në shoqëri. Ka patur momente që kam dashur të ndaloj. Të qenit nënë të jep një shtysë më të madhe më pas që të mos ndalosh, por me një hap tjetër të mendosh të çosh përpara punën që ke krijuar. Pasuria më e madhe e këtij biznesi që prindërit do t’ju lënë fëmijëve, është kultura dhe edukata e punës.
Me sa punonjës e keni nisur punën në kompani dhe sa keni sot?
Nga zero dhe duke u rritur pak nga pak. Sot kam rreth 180 punonjës.
Besoni tek burimet njerëzore dhe mbi çfarë kriteresh e përzgjidhni stafin tuaj?
Dua të besoj dhe pse në sektorin tonë shumë pak vijnë të përgatitur. U ofrojmë të gjithëve ndihmën dhe përvojën tonë që të mësojnë sa më shpejt dhe mirë atë që na duhet prej tyre. Preferoj gjithmonë ata që kanë dëshirë dhe vullnet për të mësuar e punuar, pasi jam e sigurt që mund të ecin përpara. Së fundmi janë krijuar shumë kurse profesionale dhe shpresoj të japin frytet e tyre sa më parë, pasi çdo biznes ka nevojë për njerëz të përgatitur të çdo niveli.
Omega
Omega është një nga kompanitë lider në prodhimin e veshjeve. Ajo prodhon veshje sportive, klasike të një cilësie të lartë për tregun italian dhe europian. Kompania është krijuar në vitin 2001 me linjën e saj të pantallonave e më pas është zgjeruar ndër vite dhe sot është një kompani me rreth 180 punonjës. Omega është një kompani me cikël të plotë. Pajisjet dhe makineritë që ajo zotëron i japin mundësinë të realizojë çdo detaj të produktit. Sot klientët e kësaj kompanie janë Max & Co, Pennyblack, Max mara wekend, Intrend, Jeordie’s, Simonetta, Trussardi bimbo, Disquared bimbo e brooksfield, duke mos harruar dhe klientët e saj të vjetër GRUPPO SIXTY me të gjitha markat Energie, Killah, Miss Sixty, Murphy&Nye, Refrigiwear apo Liu Jo, Alessandrini, Harmont & Blaine, Fornarina etj.