Donika Gega: Nëse do isha kthyer pas në kohë do bëja të njëjtën gjë

Donika Gega: Nëse do isha kthyer pas në kohë do bëja të njëjtën gjë

Donika Gega: Nëse do isha kthyer pas në kohë do bëja të njëjtën gjë

E ka nisur biznesin që në vitin 1994 dhe me durim kanë mbërritur të kulmojnë në punën e tyre në vitin 2015. E quan si të rëndësishme përkrahjen e bashkëshortit në punën që ka bërë, duke vënë në plan të parë gjithsesi familjen. Si një sipërmarrje nisur me pak punëtorë, që sot numëron 370 të tillë, zonja Gega shprehet se të bësh sot biznes në vendin tonë, nuk është e lehtë dhe kjo jo për faktin që është femër, por se në Shqipëri mbetet e vështirë të bësh biznes. Megjithatë ta pyesësh nëse do të kthehej pas në kohë a do të bënte të njëjtën gjë, të thotë me bindje po. Po kështu ajo kërkon nga qeveria të ketë politika mbështetëse për sipërmarrëset femra dhe ku të krijohet një databaze për të parë se progresin e gruas në biznes.

Kur e keni filluar biznesin  tuaj, çfarë produkti ose shërbimi ofroni për tregun ?

Zanafilla e kompanisë daton në vitin 1994, kohë kur sigurisht shoqëritë private sapo kishin filluar të lulëzonin dhe njohja me tregun e punës ishte tejet e kufizuar. Asokohe, produktet që ofronim, pra nafta dhe benzina, tregtoheshin me fuçi dhe nuk zotëronim akoma asnjë stacion shitjeje. Në vitin 1996 arritëm të hapnim stacionin e parë të shitjes me pakicë, pak kilometra nga qyteti i Shkodrës. Viti 2004 do të shënonte një kthesë të rëndësishme në historikun e kompanisë, pasi nga ky vit nis një punë ekstensive për rritjen e numrit të stacioneve, punë e cila është akoma në proces. Sot, kompania çadër Gega Center GKG mbulon hartën e mbi 80 stacioneve aktuale nën brand-in Gega Oil në çdo cep të Shqipërisë, me synimin e qartë për të sjellë vlerat më të mira në tregun e karburanteve në nivel nacional.

Si është të jesh sot një grua në biznes?

Shkurtimisht do thoja që komuniteti ku jetojmë sot është bërë disi më favorizues përsa i përket femrave në biznes, por nga ana tjetër, vetë klima aktuale e biznesit në Shqipëri nuk mendoj se është akoma në nivelin e saj më optimal, qoftë për drejtueset femra, ashtu dhe për drejtuesit meshkuj. Si çdo person në vazhdën e përditshme të punës, edhe unë kam një larmi sfidash për të trajtuar. Sidoqoftë, qëllimi im gjithmonë ka qenë që të mësoj nga çdo situatë që më është paraqitur, në mënyre që ta përdor në të ardhmen. Përvoja e gjatë në punë, veçanërisht në natyrën e veprimtarisë që ushtroj sot, të mëson çfarë duhet bërë dhe çfarë nuk duhet bëre. Kjo gjë mund të them se më ka ndihmuar shumë. Përgjithësisht, synoj të jem e qetë, e përqendruar dhe një lidere e lirë në atë që bëj.

Me sa punonjës e keni nisur punën në kompani dhe sa keni sot?

Aktiviteti i kompanisë tonë fillimisht ka nisur me një numër relativisht të vogël punonjësish, rreth dhjetë në total, me një logjistikë të kufizuar dhe pa krijuar akoma të gjitha departamentet përkatëse që kemi sot. Megjithatë, mund të them se krahas përpjekjeve vetjake, ka qenë sigurisht edhe përkushtimi i punonjësve tanë një gur i fortë themeli për suksesin që ka pasuar në vijim, pra zgjerimin e mëtejshëm të aktivitetit dhe rritjen e numrit të punonjësve ne 370 aktualisht. Pa mbështetjen e kapitalit human, asnjë kompani, qoftë shqiptare apo e huaj, nuk mund të ecë mjaftueshëm përpara.

Nëse do të ishit kthyer disa vite më parë do të bënit sërish të njëjtën gjë?

Në asnjë moment nuk jam penduar për punën që bëj. Sado vite pas të kthehesha në kohë, nuk do doja kurrsesi të isha në një tjetër fushë veprimtarie. Sigurisht, mund të them që ka patur disa vendime të caktuara të cilat mund t’i merrja ndryshe, apo situata të cilat mund t’i administroja në mënyrë më efikase, por përgjithësisht ato zënë një përqindje jo shumë të madhe në historikun tim administrativ.

Fakti që kohën tuaj në sipërmarrje e ndani me bashkëshortin jua ka bërë punën më të lehtë apo ju ka penalizuar në raste të caktura?

Padiskutim, figura e mashkullit vijon te jetë tradicionalisht e rëndësishme në çdo lloj biznesi apo iniciative sipërmarrjeje. Edhe në rastin tim, do thoja që kam pasur fatin e mirë që të kem përkrahjen morale dhe atë menaxhuese të bashkëshortit tim në çdo hap që kam hedhur, pasi ky është një biznes familjar, ku kontributi i bashkëshortit nuk kishte si të mungonte. Shpeshherë kanë qenë këshillat e tij dhe përvoja e gjatë në biznes që më ka ndihmuar t’i bëj ballë situatave te caktuara, ku një femër pa shumë përvojë profesionale lehtësisht mund të ndjejë disfatë. Pavarësisht se veprimtarinë prej shumë vitesh e ndaj me tim shoq, nuk di të veçoj një rast të vetëm ku të jem ndjerë e privuar për të ndjekur filozofinë personale të të bërit biznes, apo të kem hequr dorë nga realizimi i aspiratave të mia.

Si është të jesh nënë, si e menaxhon kohën e saj dhe a mendoni që keni qenë mjaftueshëm prezente për fëmijët e tu kur ata kanë patur nevojë? Sa ke ndikuar në formimin e tyre?

Më shumë sesa një drejtuese në biznes, në radhë të parë veten e gjej si nënë, dhe roli im si e tillë në familje mendoj se është i pazëvendësueshëm për kujdesin, edukimin dhe shkollimin e fëmijëve tanë. Pavarësisht kohës jo të mjaftueshme në dispozicion, rolin prindëror jam munduar ta realizoj më së miri, sigurisht duke patur dhe mirëkuptimin dhe mbështetjen solide të bashkëshortit tim. Pra, nuk mendoj se do arrija ndonjëherë të isha  në këtë stad të karrierës, pa qenë tërësisht e sigurtë që kam arritur të administroj me sukses sferën familjare, sepse e gjithë dëshira për të ecur përpara nxitet pikë së pari nga mirëqenia e fëmijëve dhe e bashkëshortit.

Cili ka qenë një moment suksesi që ka vendosur të ardhmen tuaj në sipërmarrje dhe a keni patur raste kur keni thënë mjaft nuk mund të vazhdoj më?

Një ndër momentet më revolucionare për kompaninë ka qenë pikërisht viti 2015, gjatë të cilit kompania jonë zgjodhi një politikë disi më “agresive” zgjerimi në pjesë të tjera gjeografike të Shqipërisë, pasi deri në këtë vit numri më i madh i stacioneve ishte përqendruar vetëm në veri dhe në Shqipërinë e Mesme. Por, në vitin 2015, dalja e  papritur nga tregu e një tjetër operatori shumë të rëndësishëm të hidrokarbureve deri në këtë vit, na mundësoi që t’i shtonim rrjetit tonë të pakicës rreth 12 stacione te reja në qytetin e Tiranës, si dhe rreth 15 të tjera në zonën jugore të vendit. Ky zgjerim padyshim që përkthehet në një investim kolosal, por që ishte tejet i domosdoshëm për ta bërë brand-in e Gega Oil akoma edhe më të njohur në Shqipëri. Sigurisht, ka ndodhur që në raste të caktuara të jem ndjerë e lodhur nga trysnia e vazhdueshme e punës, megjithatë gjithmonë jam munduar të shoh anën pozitive të çdo situate, sado komplekse që mund të ketë qenë. Nuk ka punë pa sfida, dhe çdo njeri ka ditët e veta të vështira, por e rëndësishme është që të gjitha vështirësitë që lindin të superohen në mënyrë sa më profesionale.

Ndryshe nga fillesat tuaja të biznesit, çfarë politikash nxitëse mendoni se duhet të ndërmarrë qeveria për mbështetjen e gruas sipërmarrëse, do të mund të bëhej më mirë?

Një aspekt i rëndësishëm ku politikat e reja nxitëse duhet të përqendrohen është që grave t’u besohen më shumë role drejtuese, pasi ato drejtojnë më me përgjegjshmëri dhe janë më transparente në raport me të tretët. Strukturat e shtetit duhet t’u qëndrojnë sa më afër bizneseve që drejtohen nga gratë dhe ta ndjejnë veten partner dhe maksimalisht mbështetës për nevojat që kane bizneset e tyre, dhe jo të kujtohen vetëm në kohën e vjeljes së taksave. Mendoj se duhet te krijohet një databazë e veçantë, përmes të cilës të monitorohet progresi i grave në biznes dhe të stimulohen me fonde në formën e granteve ose me kredi të buta, sa herë që do të paraqitet nevoja. Asnjë shtet i botës nuk duhet t’ia lejojë vetes të mos krijojë mundësinë për të përdorur potencialin, energjinë dhe produktivitetin e gruas në zhvillimin dhe mirëqenien e popullit të vet.

Gega Oil

Gega Oil me seli në Tiranë, ka krijuar një bazë strategjike për marketingun e produkteve në rajon. Kjo kompani tregton dhe punon direkt me rafineritë, për të siguruar furnizim të vazhdueshëm dhe masë ekonomike. Politika e fortë e zgjedhur prej tyre,  i ka sjellë kompanisë tonë një çmim të qëndrueshëm dhe cilësi produkteve që tregtojmë. Ushtrimi i veprimtarisë tregtare dhe shitja me pakicë të hidrokarbureve në mbarë vendin me standardet më të larta, e ka bërë shoqërinë lider në tregun e brendshëm, me mbi 2800 klientë aktualë. Qëllimi i kësaj kompanie është zgjerimi rajonal në shitjet me pakicë dhe shumicë të hidrokarbureve dhe të zhvillojë një bazë të fortë konsumatorësh. Shoqëria Gega Oil me eksperiencë mbi 25 vjeçare, ka sjellë në Shqipëri vlerat më të mira në fushën e tregut të karburanteve, duke u bërë kështu një nga kompanitë më të suksesshme në tregun me shumicë dhe pakicë në vendin tonë.

Share this post