Anila Kalleshi: Rrugë e vështirë, por është sipërmarrja që unë do e bëja gjithmonë
Anila Kalleshi është një emër jo pak i njohur për të gjithë ata që e duan të bukurën. Me një biznes që e ka nisur 21 vite më parë, ku në fillesa ishte vetëm, sot ja ka dalë të jetë një nga qendrat më të mira në tregun tonë. Vit pas viti ajo është rritur profesionalisht duke qenë pjesë e vlerësuar dhe në tregun ndërkombëtar. Po çfarë sjell sot Anila, si e ndan kohën e saj në punë dhe djalin e saj Franklin? Le ta zbulojmë në intervistën e mëposhtme, ku ajo ndan të mirat dhe vështirësitë e punës së saj.
Kur e keni filluar biznesin tuaj, çfarë produkti ose shërbimi ofroni për tregun ?
Kam 21 vite që zhvilloj aktivitetin tim në fushën e dobësimit! Qendra “Anila Kalleshi Center” është hapur në vitin 1998 dhe që atëherë ka dominuar dukshëm në tregun shqiptar. Shërbimet që qendra ofron konsistojnë kryesisht në humbjen e peshës në një mënyrë të shëndetshme dhe mjaft efikase. Se fundmi një bashkëpunim mjaft frutdhënës me mjekë italianë në fushën e mjekësisë të stilit të jetesës si dhe në fushën e dermatologjisë.
Si është të jesh sot një grua në biznes?
Padyshim që ka qenë një rrugëtim mjaft i vështirë, ku me mund dhe sakrifica kam arritur të jem këtu ku jam sot. Ndihem akoma dhe më mirë kur marrë vlerësime dhe çmime prestigjioze nga vende të ndryshme në botë. Për mua nuk ka krenari më të madhe që tashme “Anila Kalleshi Center” është kthyer në një brand unik në treg!
Me sa punonjës e keni nisur punën në kompani dhe sa keni sot?
Fillimisht e kam nisur e vetme, ku në periudha fluksi më ndihmonte dhe mamaja ime. Sot kam një staf prej 8 personash të cilat u bënë vite që kontribuojnë në suksesin e “Anila Kalleshi Center”.
Nëse do të ishit kthyer disa vite më parë do të bënit sërish të njëjtën gjë?
Sigurisht që po! Nuk jam penduar për as më të voglin hap. Kjo është puna që kam dashur të bëj gjithmonë. Nuk është e lehtë të nisësh një biznes nga zeroja, kërkon përkushtim maksimal. Krahas punës, jam munduar gjithmonë të jem aktive në seminare, konferenca dhe kongrese në vende të ndryshme të botës, për të qenë e përditësuar me informacionet më të reja në këtë fushë e cila është parandaluese për një sërë sëmundjesh kronike që tashmë po “pushtojnë” botën.
A e ndani biznesin tuaj me bashkëshortin dhe jua ka bërë punën më të lehtë apo ju ka penalizuar në raste të caktuara?
Jo nuk e kam biznesin me bashkëshortin, por mendoj që gjithmonë duhet të menaxhohet më së miri raporti punë-jeta personale. Mund të them se arrij ta menaxhoj në mënyrë perfekte!
Si është te jesh nënë, si e menaxhon kohën e saj dhe a mendoni që keni qenë mjaftueshëm prezente për fëmijët e tu kur ata kanë patur nevojë? Sa ke ndikuar në formimin e tyre?
Kur bëhet fjalë për fëmijën tënd, koha gjendet gjithmonë. Mundohem të jem gjithmonë prezente, sa herë që im bir ka nevojë për mua, pasi kemi një marrëdhënie shumë të ngushtë nënë-bir. Përsa i përket formimit, im bir është akoma një fëmijë, por që tani po kujdesem maksimalisht që ai të marrë edukimin dhe formimin e duhur. Jam një nënë me fat dhe shumë krenare, pasi Frankli jo vetëm që është një fëmijë shumë i sjellshëm dhe i përkushtuar, por ka dhe rezultate të shkëlqyera në mësime.
Cili ka qenë një moment suksesi që ka vendosur të ardhmen tuaj në sipërmarrje dhe a keni patur raste kur keni thënë mjaft nuk mund të vazhdoj më?
Nuk mund të veçoj një moment të vetëm, ka pasur shumë momente suksesi të cilat kanë ndikuar në rritjen e suksesit të “Anila Kalleshi Center”. Në zyrën time, gjenden me dhjetëra çmime që dëshmojnë njëherë e mirë suksesin që qendra ka arritur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Sigurisht formimi im i vazhdueshëm profesional ka qenë një pikë kyçe që më sjell shumë krenari. Studimet e mija ne Harvard Medical School, në Tucsan në Universitetin e Arizonës, gjithashtu se fundmi titulli Doctor of Public Health i mbrojtur në SHBA janë pjesë e sukseseve të arritura.
U bënë 21 vite në treg, kështu që nuk mund të them dot që nuk ka pasur momente të vështira, por rezultati pozitiv që unë merrja nga klientët, gjithmonë ishte një shtysë për të ecur përpara.
Ndryshe nga fillesat tuaja të biznesit, çfarë politikash nxitëse mendoni se duhet të ndërmarrë qeveria për mbështetjen e gruas sipërmarrëse, do të mund të bëhej më mirë?
Duhet akoma dhe më shumë punë për rritjen e numrit të grave që merren me sipërmarrje. Mendoj se duhet të akordohet një fond për disa ide biznesi që mund të zënë vend në tregun shqiptar, pasi mund të ketë shumë ide të mira, por mundësia ekonomike bën që njerëzit të stepen. Por kam dëgjuar që ka pasur shumë përmirësime në këtë aspekt, pra mendoj që jemi në hapa të mbarë!