Teuta Doçi: Ka dhe raste kur them mjaft por…ja ku jam akoma duke punuar
Teuta e ka nisur biznesin e saj në vitin 1993, por konsideron momentin më të suksesshëm vitin 1996 atëherë kur nisi të prodhojë vetë dhe të mos punojë me produkte importi. Një punë që nuk di të heqë dorë prej saj edhe pse ka plot momente të vështira, sidomos nga konkurrenca e pandershme. Realizim më të madh ajo konsideron familjen e saj dhe fëmijët. Për ta gjen gjithmonë kohën e duhur për të qenë afër dhe nëse do të kishte qenë e kundërta do të kishte hequr dorë nga biznesi dhe jo fëmijët.
Kur e keni filluar biznesin tuaj, çfarë produkti ose shërbimi ofroni për tregun ?
E kam filluar biznesin në vitin 1993. Kryesisht me shitje produktesh importi dyshekë, aksesorë dhe mobilje shtëpish dhe zyrash.
Si është të jesh sot një grua në biznes?
Si për të gjithë. Sigurisht sot është vështirësuar pasi ndikojnë shumë faktorë ku më kryesorët janë: kriza e përgjithshme; mbingopje e tregut; konkurrence e pandershme; mungesë likuiditeti; situatat politike apo vështirësitë për burimet njerëzore.
Me sa punonjës e keni nisur punën në kompani dhe sa keni sot?
E kam filluar me 2. Numri ka ndryshuar në vite sipas ngarkesës dhe aktualisht kam 12.
Nëse do të ishit kthyer disa vite më parë do të bënit sërish të njëjtën gjë?
S’di të bëj gjë tjetër.
Fakti që kohën tuaj në sipërmarrje e ndani me bashkëshortin jua ka bërë punën më të lehtë apo ju ka penalizuar në raste të caktuara?
Punoj me bashkëshortin. Ma ka bërë më të lehtë përveç rasteve kur kemi përplasje idesh. Ai është me konservator në idetë për punën.
Si është te jesh nënë si e menaxhon kohën e saj dhe a mendoni që keni qenë mjaftueshëm prezente për fëmijët e tu kur ata kanë patur nevojë? Sa ke ndikuar në formimin e tyre?
Të jesh nënë është gjëja më e mrekullueshme në botë. Sigurisht kam qenë prezente. Nuk e kuptoj dot të ndarë punën nga familja. Në rast se s’do mundesha do tërhiqesha deri diku. Në formimin e tyre kam ndikuar mjaftueshëm duke ju lënë hapësirën e duhur.
Cili ka qenë një moment suksesi që ka vendosur të ardhmen tuaj në sipërmarrje dhe a keni patur raste kur keni thënë mjaft nuk mund të vazhdoj më?
Momenti kur filluam të prodhojmë vetë. Ishte viti 1996. Po. Ka dhe raste kur them mjaft por…ja ku jam akoma duke punuar. S’e imagjinoj dot jetën pa këtë punë megjithë vështirësitë që ka kohë pas kohe.
Ndryshe nga fillesat tuaja të biznesit, çfarë politikash nxitëse mendoni se duhet të ndërmarrë qeveria për mbështetjen e gruas sipërmarrëse, dhe a kishte gjëra që mund të bëheshin më mirë?
Shumë politika nxitëse duhen, por kanë mbetur vetëm në letër. Nuk po rreshtoj se ky është diskutim i gjate. Vlen për të gjitha bizneset jo vetëm ku janë gratë sipërmarrëse. Me kryesori është lufta kundër pastrimit të parasë, pasi mbijnë nga hiçi biznese që pushtojnë tregun dhe pasi prishin ekuilibrat largohen për t’u marrë me një tjetër ngaqë nuk kanë objektiv të qartë.