DHTI merr pjesë në Study Visit në Lille, Francë në kuadër të projektit “Circular Tourism”
Në datat 4–8 Maj 2026, Chamber of Commerce and Industry of Tirana mori pjesë në një vizitë studimore në Lille, Francë, në kuadër të projektit “Circular Tourism”, e organizuar nga partneri francez Euracom EU, përfaqësuar nga z. Nicholas Fourcroy dhe znj. Ula Alexandra Mattl.
Në këtë vizitë morën pjesë edhe partnerë të tjerë të projektit, si Shoqata AULEDA, Shkolla Profesionale e Elbasanit, Shkolla e Mesme Profesionale e Vlorës dhe Shkolla e Mesme Profesionale e Sarandës. DHTIT u përfaqësua nga Sekretarja e Përgjithshme, znj. Albana Laknori, si dhe nga përfaqësuesi i kompanisë anëtare Hotel Mondial, z. Kristi Topuzi.
Gjatë vizitës studimore, pjesëmarrësit u njohën me modele të suksesshme të turizmit të qëndrueshëm, arsimit profesional dhe ekonomisë qarkulluese në Francë. Vizitat përfshinë EKLO Hotel, i cili u prezantua si një model hotelerie miqësore me mjedisin dhe i fokusuar në praktika ekologjike dhe reduktimin e përdorimit të plastikës.
Një tjetër ndalesë e rëndësishme ishte Lille Hospitality School, një nga shkollat më të njohura në Francë për hoteleri, kulinari dhe turizëm. Partnerët u njohën nga afër me mënyrën se si shkolla kombinon mësimin teorik me praktikën profesionale përmes mini-hotelit, restorantit dhe ambienteve praktike të menaxhuara nga vetë nxënësit.
Vizita vijoi në Hôtel Barrière Lille, hotel i ndërtuar sipas standardeve të qëndrueshmërisë dhe i integruar ngushtë me komunitetin dhe arsimin profesional, duke ofruar mundësi praktike për nxënësit e shkollave profesionale.
Një moment i rëndësishëm i study visit ishte organizimi i një tryeze të rrumbullakët ndërmjet mësuesve të shkollës franceze dhe shkollave profesionale shqiptare partnere të projektit. Gjatë diskutimeve, palët ranë dakord të zhvillojnë në të ardhmen shkëmbime studentësh dhe mësuesish për ndarjen e eksperiencave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në kuadër të vizitës, partnerët zhvilluan gjithashtu një vizitë në Roubaix Zéro Déchet, një iniciativë inovative e ekonomisë qarkulluese, e fokusuar në riciklimin dhe ripërdorimin e materialeve, si dhe në edukimin dhe punësimin e të rinjve në profesionet e lidhura me zhvillimin e qëndrueshëm.
Kjo vizitë studimore shërbeu si një mundësi e rëndësishme për shkëmbim eksperiencash, njohje me praktikat më të mira evropiane dhe forcim të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe partnerëve të projektit në fushën e turizmit të qëndrueshëm dhe arsimit profesional.


