18-20 shtator 2018, u zhvillua për herë të parë Innovation Festival

18-20 shtator 2018, u zhvillua për herë të parë Innovation Festival

18-20 shtator 2018, u zhvillua për herë të parë Innovation Festival

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë solli për herë të parë në Tiranë Festivalin Rajonal të Inovacionit. Një kërkesë e ardhur nga vetë sipërmarrja, gjeti mbështetjen e institucionit përfaqësues të saj, duke konkretizuar në këtë formë formatin që vjen për herë të parë në këtë dimension. Iniciativë që gjeti menjëherë bashkëpunimin e Bashkisë Tiranë dhe partneritetin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtë, Sëiss EP, Advantage Austria, Qëndra Protik, TOK Agency dhe suportin e Telekom Albania dhe ABI Bank.

Më shumë se 40 kompani të reja apo start-up, ICT, turizmit, institucione financiare, kompani të energjetikës, telekomunikacionit etj., nga data 18-20 shtator prezantuan para një audience të përzgjedhur risitë që sjellin në tregun tonë, vlerësimin e ideve të reja dhe mënyrën se si po i zbatojnë ato për konsumatorin shqiptar.

Tre ditët e Festivalit ishin një mundësi e mirë e takimeve mes sipërmarrësve shqiptarë e atyre të Kosovës, Maqedonisë, Austrisë, Italisë, Estonisë, Finlandës, Emirateve të Bashkuara, Indisë apo Egjiptit, duke e kthyer këtë event jo vetëm mundësi shkëmbimi idesh, por vendosje të kontakteve të reja dhe partneritete me sipërmarrësit e këtyre vendeve që kanë vendosur të jenë në Tiranë gjatë këtyre ditëve. Janë afro 300 përfaqësues shqiptarë dhe të huaj që janë mbledhur në Festival.

Rastet e suksesit nga Amerika, Gjermania, Austria apo Suedia që u prezantohen në Festivalin e Inovacionit, ishin një mundësi që erdhi për herë të parë tek ne, duke marrë prej tyre më të mirën. Janë djemtë tanë raste suksesi në botë, që përfaqësojnë kompanitë më të mëdha, që do të ndajnë gjatë ditëve të eventit eksperiencat e tyre.

Pse erdhi Festivali i Inovacionit?

Inovacioni çon në nevojën e nxitjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore, nxitjen e brezit të ri drejt investimeve në teknologji të reja që rrisin produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e markës tregtare “Made in Albania”. Për çdo sipërmarrës inovacioni nënkupton; të qenit gati për të ndryshuar dhe vepruar pa ndërprerje duke kuptuar tendencat dhe duke parashikuar kërkesat e tregut.

Globalizimi stimulon rritjen e konkurrueshmërisë. Kudo në tregun global lindin konkurrentë të rinj, veçanërisht në vendet me kosto të ulët të punës. Por, lindin edhe mundësi të mëdha për të hyrë në tregjet globale dhe e gjithë kjo kërkon strukturimin e duhur i cili vjen duke u përballur me atë çfarë sot afrohet në treg.

 

Share this post