Kirgistan në kërkim të investitorëve shqiptarë për 1.2 mld euro projekt! DHTIT pret në takim zyrtar ambasadorin, z. Ruslan Kazakbayev
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, e përfaqësuar nga Sekretarja e Përgjithshme, znj. Albana Laknori, priti në një takim zyrtar Ambasadorin e Kirgistanit në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij, z. Ruslan Kazakbayev.
Fokusi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe krijimi i urave të komunikimit ndërmjet komuniteteve të biznesit në Shqipëri dhe Kirgistan.

Gjatë diskutimeve, u prezantua një projekt madhor që do të ndërmerret në Kirgistan: ndërtimi i një piste skish me gjatësi 250 kilometra me një investim total prej 1.2 miliardë eurosh. Strukturat hoteliere dhe një pjesë e infrastrukturës turistike janë tashmë të ndërtuara, ndërsa pala kirgize është në kërkim të investitorëve strategjikë për vënien në funksion të plotë të projektit dhe zhvillimin e mëtejshëm të zonës. Tenderi për projektin do të jetë i hapur nga data 15 deri më 18 korrik 2028.

Ambasadori, z. Kazakbayev theksoi disa nga avantazhet për investitorët e huaj në Kirgistan, duke përmendur kostot e ulëta të fuqisë punëtore, çmimin e lirë të energjisë, si dhe lehtësitë ligjore që ofrohen për investimet e huaja.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mundësia për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet dy Dhomave të Tregtisë, si dhe shkëmbimi i ftesave zyrtare për pjesëmarrje në panaire dhe forume biznesi në të dy vendet.
