DHTIT pret në takim Ambasadoren, znj.Shumona – prezantohet ideja për ‘infopoint’ “Shtëpia e Shqipërisë” në Bangladesh
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, e përfaqësuar nga Sekretarja e Përgjithshme, znj. Albana Laknori, priti në një takim zyrtar Ambasadoren e Bangladeshit në Shqipëri, me rezidencë në Athinë, Shkëlqesinë e Saj, znj. Nahida Rahman Shumona.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, duke u fokusuar në mundësitë për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve. Ambasadorja Shumona prezantoi disa iniciativa konkrete për nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve shqiptare dhe atyre nga Bangladeshi, me theks të veçantë te mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë rreth 95% të ekonomisë në të dyja vendet.

Në këtë kontekst, u diskutua organizimi i takimeve B2B, forumeve të biznesit si dhe pjesëmarrja e ndërsjellë në panaire dhe ngjarje ekonomike. Ambasadorja shprehu interes të veçantë për panairin “Tirana Food and Fest”, që do të organizohet nga DHTI Tiranë në muajin tetor, dhe konfirmoi dëshirën për pjesëmarrje të bizneseve nga Bangladeshi në këtë aktivitet.
Nisur nga vizita e saj në qytetin e Krujës, ku u njoh nga afër me traditën artizanale shqiptare, ambasadorja shprehu interes për krijimin e një “infopoint” të quajtur “Shtëpia e Shqipërisë” për të promovuar kulturën, produktet dhe artizanatin shqiptar.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, konfirmoi gatishmërinë për të mbështetur këtë nismë dhe për të bashkëpunuar ngushtësisht në të gjitha projektet që synojnë forcimin e lidhjeve tregtare dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Bangladeshit.