Fokusi te dialogu social dhe mbështetja për SME-të! Përmbyllet Projekti “ValueFacturing SMEs” me konferencën finale në Parlamentin Europian
Projekti europian “ValueFacturing SMEs” u përmbyll zyrtarisht me një konferencë finale të mbajtur në selinë e Parlamentit Europian, nën mikpritjen e eurodeputetit Giorgio Gori.
Në këtë takim, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, si partnerë zbatues të projektit, u përfaqësua nga Sekretarja e Përgjithshme, znj. Albana Laknori dhe Drejtoresha e Departamentit të Projekteve, znj. Aris Tasho.

Konferenca u hap me fjalën përshëndetëse të Mario Nava, përfaqësues i lartë i Drejtorisë së Përgjithshme për Punësim, Çështje Sociale dhe Përfshirje (DG EMPL). Ai theksoi rëndësinë strategjike të dialogut social në agjendën e Bashkimit Europian, duke nënvizuar tre shtylla kryesore: aftësitë profesionale, punësimi cilësor dhe thjeshtimi i rregullave për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME-të).
Gjatë panelit të diskutimit, u trajtua sfida e dyfishtë me të cilën përballen SME-të në të gjithë Europën: si të rrisin konkurrueshmërinë, duke kontribuar njëkohësisht në krijimin e vendeve të punës cilësore. Ekspertë, përfaqësues të institucioneve dhe partnerë socialë diskutuan mbi mënyrat konkrete me të cilat BE mund të mbështesë SME-të për të balancuar këto objektiva thelbësore.

Një nga momentet më të rëndësishme të konferencës ishte prezantimi zyrtar i Dekalogut – një udhëzues praktik dhe i orientuar drejt veprimit, i zhvilluar në kuadër të projektit. Dekalogu përmban një grup të strukturuar parimesh, procedurash dhe rekomandimesh konkrete, që synojnë të forcojnë dialogun social në të gjitha nivelet: kompanitë individuale, sektorët ekonomikë dhe niveli europian. Ai do të shërbejë si një mjet i rëndësishëm për nxitjen e bashkëpunimit efektiv ndërmjet partnerëve socialë dhe për përmirësimin e kushteve të punës në SME-të europiane.
Projekti ValueFacturing SMEs, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian, ka pasur në fokus forcimin e dialogut social dhe promovimin e punës cilësore në sektorët prodhues ku dominon prania e SME-ve. Rezultatet e tij pritet të kenë ndikim të qëndrueshëm në politikat europiane për punësimin dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.
