Zhvillohet forum biznesi Shqipëri-Çeki! Z.Jaka dhe ambasadori z. Vaček: Forcojmë bashkëpunimin ekonomik mes 2 vendeve
Në ambientet e Ambasadës së Republikës Çeke në Tiranë, u zhvillua një forum biznesi me fokus të veçantë në industrinë e ushqimeve. Kjo ngjarje u organizua për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe për të forcuar lidhjet mes sipërmarrësve nga Shqipëria dhe Republika Çeke.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, z. NikolinJaka, në fjalën e tij tha se ky forum do të sjellë mundësi për pjesëmarrje reciproke në panaire dhe ekspozita, si dhe do të nxisë krijimin e projekteve konkrete të përbashkëta, që do të kontribuojnë në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve mes dy vendeve.
“Vlerësojmë se është një mundësi e mirë që përfaqësuesit e industrisë së ushqimit Çek dhe bizneset e industrisë ushqimore të Shqipërisë takohen bashkërisht, për shkëmbime eksperiencash, pjesëmarrje reciproke në panaire dhe ekspozita, projekte konkrete të përbashkëta që do t’i shërbejnë rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe investimeve ndërmjet dy vendeve tona”, u shpreh z. Jaka gjatë forumit.
Nga ana tjetër, Shkëlqesia e Tij, Z. Pavel Vaček, Ambasador i Republikës Çeke në Shqipëri, theksoi se ky forum është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Ai nënvizoi se ambicia e Ambasadës së Republikës Çeke në Tiranë është që të rrisë volumin e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Çekisë, pasi ekzistojnë mundësi të mëdha për një bashkëpunim më të gjerë.
Forumi i zhvilluar në Tiranë ofroi mundësi të shkëlqyera për takime B2B, ku pjesëmarrësit kishin mundësinë të diskutonin mundësitë e bashkëpunimit dhe të nënshkruanin kontrata për krijimin e partneriteteve të reja.