Paketa Fiskale 2027: Propozimet e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë

Paketa Fiskale 2027: Propozimet e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë

Në prag të hartimit të Paketës Fiskale 2027, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka paraqitur pranë Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, dhe Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj, propozimet e komunitetit të biznesit për lehtësimin e barrës fiskale, mbështetjen e prodhimit dhe eksporteve, nxitjen e investimeve dhe përmbushjen e standardeve të Bashkimit Europian. Dokumenti, i nënshkruar nga Kryetari Nikolin Jaka, vjen pas një procesi konsultimi me sipërmarrjen dhe kërkon bashkëpunim të ngushtë me qeverinë për zbatimin e masave të propozuara.

Më poshtë, teksti i plotë i propozimeve:

Drejtuar:
Znj. Delina IBRAHIMAJ
Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit

Z. Petrit MALAJ
Ministër i Financave

Lënda: Propozime për Paketën Fiskale 2027

E nderuar znj. Ibrahimaj,
I nderuar z. Malaj,

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në përmbushje të rolit të saj si përfaqësuese e komunitetit të biznesit dhe partnere institucionale e administratës publike, ka zhvilluar gjatë muajve të fundit një proces konsultimi, me qëllim identifikimin e sfidave dhe nevojave konkrete të sipërmarrjes në raport me kuadrin ligjor fiskal, si dhe për përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve.

Në këtë kuadër, pas konsultimeve, komuniteti i biznesit vlerëson si të domosdoshme nevojën e një pakete fiskale për vitin 2027.

Qëllimi i kësaj pakete fiskale 2027 është për të nxitur një politikë fiskale konkurruese, që mbështet ekonominë prodhuese, krijon vende pune dhe nxit sipërmarrjen për t’u bërë konkurruese dhe pjesë e tregut të Bashkimit Europian.

Paketa Fiskale 2027 që ne propozojmë mbështetet në realitetin aktual ekonomik dhe politik të vendit, ku Shqipëria është duke avancuar ndjeshëm në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe përmban propozime të balancuara që synojnë:

  • Lehtësimin e barrës fiskale për bizneset prodhuese dhe eksportuese;
  • Nxitjen e punësimit dhe inovacionit;
  • Rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare në tregun europian dhe më gjerë;
  • Përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.

Kjo paketë fiskale gjithashtu i shërben mbajtjes së një dialogu të hapur midis sektorit privat dhe qeverisë, për të krijuar një mjedis të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për investime dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Sa më poshtë propozojmë:

1. Rishikimi i ngarkesës fiskale

Duhet të vlerësohet si masa kryesore që duhet të ndërmarrë qeveria për përballimin e rritjes së kostove të prodhimit, si pasojë e rritjes së çmimeve të lëndëve të para, karburanteve etj., në tregun global.

2. Tatimet mbi konsumin

  • Rishikim dhe ulje të TVSH-së për industritë prodhuese;
  • Norma e TVSH-së për sektorin e agropërpunimit të bëhet 5%–7%, siç e kanë aktualisht vendet e rajonit dhe një pjesë e vendeve të BE-së;
  • Përfshirja e të gjithë operatorëve që operojnë në sektorin e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit në skemën e TVSH-së, pavarësisht xhiros së deklaruar vjetore;
  • Bërja zero e TVSH-së për fertilizantët organikë të prodhuar nga riciklimi i mbetjeve shtazore ose vegjetale në vend, masë e cila do të ndikojë në zgjerimin e bujqësisë organike dhe njëherësh edhe në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve nga kafshët dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe zëvendëson importet e këtyre lloj plehrave;
  • Të përjashtohet nga TVSH-ja importi i makinerive që përdoren për investim, për sektorin e energjisë dhe industrinë prodhuese;
  • Akordimi i të drejtës së zbritjes së TVSH-së për karburantet. Të bëhet sipas faturimit të kompanive sipas të sektorëve që janë të përjashtuar.

3. Tarifat doganore

  • Përjashtimi i tarifës doganore për të gjitha lëndët e para që shërbejnë për industritë prodhuese;
  • Rimbursimi i tarifës doganore për eksportuesit për të gjitha lëndët e para dhe ndihmëse që blihen në tregun vendas;
  • Të pezullohet detyrimi i parapagimit të TVSH-së në doganë për importin e lëndëve të para për industritë prodhuese.

4. Rimbursimi i akcizës për gazin dhe lëndët djegëse

5. Pagesa e taksës së infrastrukturës të bëhet me 3 këste

6. Të rishikohet taksa e pasurive për ndërmarrjet prodhuese

7. Rritja e normës së amortizimit fiskal nga 20% në 40% për makineritë dhe pajisjet e investuara në industrinë prodhuese

Amortizimi i përshpejtuar do t’u mundësonte kompanive rikuperimin më të shpejtë të investimeve dhe do të stimulonte modernizimin teknologjik, automatizimin dhe rritjen e produktivitetit.

8. Mbështetje fiskale dhe financiare për përmbushjen e standardeve të BE-së

Në kuadër të proceseve integruese dhe përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Europian, veçanërisht në fushat e mbrojtjes së mjedisit, sigurisë ushqimore, higjienës dhe standardeve teknike, operatorët ekonomikë përballen me kërkesa të reja që nënkuptojnë investime të mëdha në infrastrukturë, teknologji dhe trajnime. Propozojmë që qeveria të hartojë një plan të posaçëm mbështetës, duke parashikuar:

  • Eliminimin e barrës fiskale për investimet që lidhen drejtpërdrejt me përmbushjen e standardeve të BE-së (p.sh. pajisje për përpunim, filtrime mjedisore, sisteme sigurie dhe higjiene etj.);
  • Aplikimin e skemave të subvencionimit apo kredive të buta për investime në modernizim dhe përmirësim teknologjik;
  • Një program kombëtar koordinues që të identifikojë nevojat kryesore të sektorëve ekonomikë dhe të planifikojë ndërhyrje fiskale e financiare për periudhën afatmesme;
  • Buxhete për ndërgjegjësimin dhe përgatitjen e sektorit agropërpunues për plotësimin e standardeve të BE-së, duke përfshirë Rregulloren (BE) 852/2004 për higjienën, 853/2004 për produktet me origjinë shtazore dhe 2017/625 për kontrollin zyrtar, si pjesë e detyrueshme e integrimit europian;
  • Buxhetim si fond direkt granti, për industritë agropërpunuese që lidhen me investime në teknologji dhe standarde në përputhshmëri me kërkesat e BE-së.

Këto masa jo vetëm që do të lehtësonin barrën mbi bizneset, por do të ndihmonin edhe përshpejtimin e procesit të përafrimit me standardet europiane, duke shmangur rrezikun e mbylljes së shumë subjekteve pas anëtarësimit.

9. Mekanizma fiskalë stimulues për kërkimin shkencor dhe inovacionin

Një tjetër prioritet i qartë i procesit të integrimit është forcimi i kapaciteteve kërkimore dhe inovative të bizneseve, si instrument për të rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë në tregun e brendshëm dhe atë europian. Në këtë drejtim, kërkimi shkencor dhe inovacioni duhet të trajtohen si investime strategjike dhe të mbështeten nga politika fiskale. Propozojmë që të parashikohen mekanizma të posaçëm stimulues, si:

  • Përjashtimi nga tatimi mbi fitimin për shpenzimet e realizuara në kërkim shkencor dhe zhvillim teknologjik që lidhen drejtpërdrejt me veprimtarinë prodhuese të ndërmarrjeve;
  • Zbritje fiskale të shtuara (super-deduction) për shpenzimet në inovacion, certifikime, partneritete me universitete apo qendra kërkimore;
  • Lehtësira tatimore për importin e pajisjeve kërkimore, software-ve apo patentave që përdoren në funksion të zhvillimit teknologjik të biznesit.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë pret nga qeveria një bashkëpunim të ngushtë dhe dialog të vazhdueshëm me ekspertët e sipërmarrjes, për ta kthyer këtë paketë në realitet.

Ne besojmë se ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme kërkon një qasje që mbështet realisht bizneset. Kjo paketë duhet të shihet si një angazhim i përbashkët mes qeverisë dhe komunitetit të biznesit, për të krijuar një klimë të favorshme sipërmarrjeje dhe për ta udhëhequr ekonominë shqiptare drejt standardeve europiane, duke sjellë ndryshimin që bizneset dhe qytetarët e meritojnë.

KRYETARI
Nikolin JAKA

 

Share this post


Privacy Overview

This website uses cookies so that we can provide you with the best user experience possible. Cookie information is stored in your browser and performs functions such as recognising you when you return to our website and helping our team to understand which sections of the website you find most interesting and useful.