Konferenca e Projekti DERHE: Prezantohen rezultatet dhe arritjet në forcimin e bashkëpunimit universitet–biznes
Më 12 tetor 2026, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTIT), në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës (FEUT), organizoi konferencën kushtuar prezantimit të rezultateve dhe arritjeve të projektit ndërkombëtar DERHE, i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit Erasmus+.
Konferenca shërbeu si një mundësi për të prezantuar rezultatet e arritura gjatë zbatimit të projektit, për të ndarë përvojat dhe praktikat e mira, si dhe për të evidentuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe sektorit privat.
Gjatë konferencës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në cilësinë e partnerit, prezantoi kontributin e saj në afrimin e universiteteve me bizneset, përmes identifikimit të nevojave të industrisë dhe organizimit të trajnimeve profesionale të përshtatura me kërkesat e tregut të punës.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua trajnimeve të realizuara në bashkëpunim me kompani dhe institucione të ndryshme, në fusha si Lean Management, Project Management, Big Data, sistemet ERP/DMS, Inteligjenca Artificiale dhe Siguria Kibernetike.
Përmes bashkëpunimeve me kompani si Maccaferri Balkans, BALFIN Construction, Coca-Cola Bottling Shqipëria, si dhe aktorë të tjerë të sektorit privat, projekti ka mundësuar ndërthurjen e njohurive akademike me përvojën praktike, duke sjellë trajnimet më pranë mjediseve reale të punës.
Një pjesë e rëndësishme e konferencës ishte paneli i diskutimit, ku pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre mbi bashkëpunimin me universitetin, përfitimet nga trajnimet dhe rëndësinë e zhvillimit të aftësive profesionale në përputhje me nevojat reale të bizneseve. Diskutimet theksuan gjithashtu nevojën për të vijuar dhe forcuar bashkëpunime të tilla edhe në të ardhmen.
Gjithashtu, studentët e Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, si institucion partner në projektin DERHE, prezantuan përvojat e tyre nga bashkëpunimi me kompanitë, duke ndarë njohuritë dhe aftësitë e fituara përmes angazhimit në aktivitete që lidhin formimin akademik me praktikat e biznesit.