“TBM” për herë të parë në Tiranë, mirëpret 300 investitorë të huaj
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, me mbështetjen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Bashkisë Tiranë, organizon për herë të parë eventin Tirana Business Matching, me temë: “Sfidat për rritjen e investimeve dhe aftësisë konkurruese të ekonomisë shqiptare”, i cili do të mbahet në 26 tetor 2017 në Hotel Tirana International, Tiranë.
Tirana Business Matching do të bëjë bashkë lider korporatash, politikëbërës ekonomie, personalitete të huaja dhe ekspertë, përgjatë një programi intensiv një ditor. Tema kryesore e këtij eventi do të fokusohet në sektorët prioritarë të ekonomisë: infrastruktura, energjia, turizmi, bujqësia dhe agro-përpunimi, inovacioni dhe teknologjia apo tregjet financiare.
Sipërmarrës nga Italia, Austria, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kroacia, Kosova, Maqedonia si dhe shumë vende të tjera do të prezantojnë mundësitë e tyre konkrete të bashkëpunimit me palën shqiptare.
Tirana Business Matching do të jetë një platformë lider në promovimin dhe krijimin e një mjedisi optimal për investime në Shqipëri, duke mundësuar B2B dhe marrëveshje ndërmjet investitorëve të huaj me kompani shqiptare. Të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësi të marrin pjesë në forumin e biznesit dhe në takime të dedikuara B2B me palët e përzgjedhura sipas një axhende bashkëlidhur. Ky event është i modeluar për të tërhequr llojin e duhur të investimeve të huaja direkte dhe partner të përshtatshëm, të cilët do të kontribuojnë në rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.