“Rritja e mundësive të bashkëpunimit”, përfundon me sukses trajnimi 6 ditor “WIFI–AUSTRIA” në menaxhimin e sipërmarrjes
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me Dhomën Austriake të Tregtisë (WIFI INTERNATIONAL), ka përfunduar me sukses trajnimin 6 ditor “WIFI–AUSTRIA”, në Menaxhimin e Sipërmarrjes.
Programi i trajnimit “WIFI”, ofruar nga DHTI-Tirana, u zhvillua në datat 13-14-15 nëntor, moduli i parë si edhe 19-20-21 nëntor, moduli i dytë. Qëllimi kryesor ishte krijimi i mundësive për bashkëpunim më të ngushtë mes bizneseve shqiptare dhe atyre austriake.
Moduli i parë, i drejtuar nga profesori Maximilian Födinger, fokusohej në temën “Inteligjenca Artificiale / Krijimi i metodave të AI në Menaxhimin e Biznesit”, duke theksuar ndikimin e madh të inteligjencës artificiale në përmirësimin e proceseve të menaxhimit dhe funksionimin e bizneseve. Të pranishmit mësuan metoda të rëndësishme se si të përdorin Inteligjencën Artificiale për të përmirësuar dhe optimizuar shërbimin.
Në modulin e dytë, nën udhëheqjen e Prof. Dr. Victor Dedic, u trajtuan metodat më të mira të trajnimit të shitjeve për zhvillimin e biznesit, duke ofruar teknika të rëndësishme për përmirësimin e aftësive të shitjes. Gjatë këtij moduli, pjesëmarrësit morën njohuri të thella mbi teknikat e avancuara të shitjeve, duke përfshirë strategjitë e negociatave, menaxhimin e marrëdhënieve me klientët dhe përdorimin e metodave të reja për të maksimalizuar procesin e shitjes.
Trajnimi do të kulmojë me një vizitë në Austri gjatë muajit shkurt 2025, ku Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë në Vjenë, u kanë mundësuar bizneseve shqiptare takime zyrtare me biznese në Vjenë. Këto takime do t’u mundësojnë pjesëmarrësve të krijojnë mundësi bashkëpunimi dhe të zhvillojnë marrëdhënie të qëndrueshme biznesi.