“PUNO DHE STUDIO”/ Panairi që i orienton të rinjtë drejt të ardhmes
Edicioni i 14-të i panairit më të madh kombëtar “Puno dhe Studio”, i cili këtë vit u çel më 27 shkurt në Dibër, do të vijojë gjatë gjithë muajit mars me realizimin e qëllimit të tij për të shkuar në çdo skaj të Shqipërisë dhe për të ndihmuar të rinjtë drejt një orientimi për të ardhmen e tyre.
Qëllimi i këtij eventi është punësimi dhe orientimi i studentëve drejt profesioneve që kërkon tregu i punës.
Përmes këtij panairi, falë kontaktit të drejtpërdrejtë me ekspozitorët, maturantët mbledhin informacione dhe qartësohen rreth ofertave të bizneseve dhe universiteteve, duke hedhur hapa në rrugën drejt përcaktimit të të ardhmes.
Mes larmishmërisë dhe përputhjes së kërkesave të tyre, ata do të kenë mundësi zgjedhjeje jo vetëm të arsimohen, por edhe të punojnë.
Deri më tani, “Puno dhe Studio” është ndalur në 5 qytete të vendit, konkretisht në: Dibër, Kukës, Shkodër, Krujë dhe Lezhë, ndërsa do të vijojë të zhvendoset në 15 të tjera.
Me synimin e rëndësishëm për t’i dhënë shpresë rinisë, rreth 30 kompani pjesëmarrëse propozojnë vendet vakante të punës, kurse 24 institucione arsimore prezantojnë oferta studimi brenda dhe jashtë vendit.
Nisur nga ofertat e ndryshme studimore dhe orientimi drejt bizneseve më të mëdha në vend pa nevojën e ndërmjetësimit për agjenci, dhjetëra të rinj janë shprehur të interesuar për të vizituar panairin gjatë këtyre ditëve. Për më tepër, disa universitete private kanë rezervuar bursa studimi për ata maturantë që kanë shprehur interes për të lidhur kontrata gjatë ditëve të panairit.
“Work and Study” organizohet për të 14-in vit nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe do të mbyllet në Tiranë në datat 30 dhe 31 Mars, te “Pallati i Kongreseve”.
Ky panair ka si partnerë Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Bashkinë Tiranë, Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive dhe partneritetin e ngushtë me Ambasadën e Greqisë.