Pse i duhej Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë botimi i një historie? Dy fjalë për lexuesit dhe një mesazh për brezat
Ndër qytetet e shumta shqiptare, Tirana është njëri ndër më të rinjtë, por edhe më i madhi ndër ta. Nga një qendër antike e banuar, ajo mori trajtat e qytetit përgjatë shekullit XVII dhe filloi lulëzimin në shekullin XX, kur u bë kryeqytet i Shqipërisë. Prej më shumë se një shekulli, Tirana vazhdon vetëm të rritet, duke u bërë qyteti shqiptar më i madh e më i rëndësishëm; një magnet i fuqishëm, që tërheq interesin e vendasve, por edhe të huajve; një qendër vibrante ekonomike, kulturore, arsimore, politike dhe shoqërore.
Rritja dhe zhvillimi shpërthyes i Tiranës, e cila, nga një fshat i zakonshëm, arriti të tejkalojë, për nga madhësia dhe rëndësia, shumë qytete të tjera hijerënda dhe të lashta të hapësirës shqiptare, e ka brenda një përmasë të rëndësishme misteri e fati. Edhe shekulli ynë duket se ka ruajtur të njëjtën marrëdhënie të privilegjuar me Tiranën, e cila vijon të rritet dhe të zhvillohet me ritmin e saj të lartë.
Botimi i një historiku të shkurtër të Dhomës së Tregtisë së Tiranës synon që të jetë një kontribut publik dhe institucional, më shumë sesa një kontribut i mirëfilltë në fushën e historisë, pavarësisht titullit të tij. Në këtë kuptim, qëllimi i këtij botimi është më shumë e ardhmja sesa e shkuara, me besimin se, duke sistemuar në trajtë të shkruar një pjesë të së kaluarës së këtij institucioni, krijohen disa premisa të qëndrueshme për zhvillimin e tij në të ardhmen. Nëse çdo brez do të ishte kujdesur për ta shkruar saktë pjesën e historisë së vet, sot do ta kishim shumë të lehtë punën për të shtuar aty pjesën tonë. E në mungesë të ndonjë trashëgimie të mirëfilltë të shkruar, sot duhet të bëjmë dy punë njëkohësisht: të përpiqemi që të rindërtojmë, aq sa është e mundur, nga historia e dikurshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës si dhe të shkruajmë sa më qartë dhe sa më drejt pjesën që na përket neve.
Në një vend që për shumë shekuj ishte skaji i një perandorie të prapambetur dhe, më pas, për shumë dekada pjesë e eksperimentit tragjik të komunizmit, hapësirat për zhvillimin e gjerë dhe të mirëfilltë të jetës ekonomike dhe shoqërore kanë qenë mjaft të kufizuara. Për fat të keq, “mesjeta”, në kuptimin historik, politik, ekonomik dhe shoqëror, për shqiptarët ka zgjatur më shumë sesa e thonë librat e shkollës.
Ndaj edhe çfarëdo historie për zhvillimin e ekonomisë, industrisë apo tregtisë së vërtetë në Tiranë dhe në Shqipëri, pavarësisht prej përpjekjeve serioze të autorëve të tyre, nuk mund të dalë përtej një kuadri modestie të pashmangshme. Por, nga ana tjetër, shpërthimi i një zhvillimi të jashtëzakonshëm në Tiranë dhe në Shqipëri pas rënies së regjimit komunist është një kapitull i ri, gjatë të cilit është mundësuar një transformim i madh, që meriton të analizohet dhe të dokumentohet edhe në përpjekje si kjo e këtij botimi.
Dhomat e tregtisë dhe industrisë janë institucione të vjetra dhe krejt të natyrshme të botës së zhvilluar perëndimore. Ato kanë luajtur një rol të dorës së parë në transformimin e shoqërisë në të gjitha drejtimet e saj. Roli i këtyre institucioneve ka qenë dhe mbetet përcaktues në zhvillimin e ekonomisë, industrisë, tregtisë, kulturës, arsimit e shkencës, duke i bërë ato aktorë me rëndësi të madhe shoqërore.
Edhe për arsye të një perceptimi të gjymtuar të trashëguar nga historia jonë, organizimet e biznesit në tërësi, pra edhe roli i Dhomave të tregtisë e industrisë, ende kuptohet pak apo dhe shtrembër nga pjesë të caktuara të politikës, opinionit publik dhe të vetë shoqërisë. Jo rrallë, këto organizime perceptohen keq, vetëm si grupime të thjeshta interesi, rreth të cilave mblidhen biznese me qëllim maksimalizimin e përfitimeve.
Në të vërtetë, ky është një përfytyrim krejtësisht i gabuar dhe paragjykues, që bazohet në një kuptim të vjetër mbi rolin e iniciativës së lirë në zhvillimin e shoqërisë. Në kuptimin modern, Dhomat e tregtisë dhe të industrisë janë aktore të rëndësishme shoqërore, të cilat kanë si qëllim të kontribuojnë në mirëmbajtjen e një mjedisi të lirë dhe të shëndetshëm për zhvillimin e iniciativës së lirë, prej të cilës përfiton e gjithë shoqëria.
Në vendet e zhvilluara demokratike, këto organizma janë institucione me peshë të rëndësishme shoqërore, me përgjegjësi për hartimin e vizioneve të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, partnerë dhe oponentë të politikës dhe administratës në konceptimin dhe zbatimin e reformave të rëndësishme, kontribuues të dorës së parë në arsimimin, kualifikimin dhe trajtimin e burimeve njerëzore, që mbajnë në jetë ekonominë e vendit dhe promotorë të vendosjes së standardeve të larta dhe të drejta për mbarëvajtjen e jetës ekonomike të vendit.
Historia e vjetër, e Dhomave të tregtisë dhe industrisë në Tiranë dhe në Shqipëri, por edhe ajo më e reja, na tregon një trajektore plot lëkundje dhe thyerje, me suksese, por dhe me shumë keqkuptime, rreth rolit dhe përgjegjësisë së këtyre institucioneve jetike për zhvillimin e ekonomisë dhe të vetë shoqërisë. Është përgjegjësia jonë që kjo trajektore zhvillimi të mbajë një kurs rritjeje të vazhdueshme dhe që marrëdhënia ndërmjet institucioneve të biznesit dhe shoqërisë të forcohet në një mjedis të lirë dhe në një klimë mirëbesimi të përhershme.
Nuk janë interesat faktori kryesor, që i bën bashkë bizneset dhe industritë në një ekonomi konkurrente. Faktori bazë që i bashkon ato është nevoja për një mjedis të lirë dhe të ndershëm, për iniciativën e tyre si dhe perspektiva të qarta e të sigurta për zhvillim të shoqërisë, në të cilën ato kryejnë misionin.
Nën dritën e këtij vizioni jam i bindur se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës do të vijojë të zhvillohet, duke ruajtur pulsin dinamik të këtij qyteti që nuk pushon së rrituri, duke i qëndruar besnik qëllimit të një organizmi që më shumë bashkon vizione zhvillimi sesa interesa, duke ruajtur një marrëdhënie me historinë e saj, por duke e mbajtur kursin përherë të orientuar nga e ardhmja.
Nikolin Jaka