“Promovimi i bizneseve shqiptare”, kryetari i DHTIT-së, Z.Nikolin Jaka dhe ambasadori i Katarit vizitë në “Mare Adriatik’”
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka, ka zhvilluar një vizitë të rëndësishme në kompaninë “Mare Adriatik”, një prej aktorëve kryesorë në tregun shqiptar të produkteve të peshkut.
“Mare Adriatik” njihet për cilësinë dhe gamën e gjerë të produkteve që ofron, duke qenë një pikë referimi për sektorin e peshkimit dhe përpunimit të tij në vend. Gjatë kësaj vizite, z. Jaka theksoi rëndësinë e mbështetjes së bizneseve shqiptare, sidomos në sektorët që kanë potencial të lartë për eksport dhe zgjerim në tregjet ndërkombëtare.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ambasadori i Katarit në Shqipëri, z. Jabor Ali Hussein Al Dossari. Me mbërritjen e tij në Shqipëri, ambasadori Al Dossari ka shprehur një interes të veçantë për të njohur bizneset vendase dhe për të ndërtuar ura lidhëse me partnerë ndërkombëtarë. Për këtë, ai ka vlerësuar rolin dhe punën e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë në promovimin e bizneseve shqiptare dhe ofrimin e një mundësie bashkëpunimi me partnerë të huaj.
Në përfundim të vizitës, të pranishmit ranë dakord për të identifikuar fusha konkrete bashkëpunimi duke krijuar kështu një bazë solide për marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike dhe tregtare.