Mundësi granti për StartUp-e, DHTIT dhe Universiteti Metropolitan i Tiranës takim informues për të mbështetur biznesin
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës, në bashkëpunim me Universitetin Metropol dhe StartUp Albania, organizuan një takim informues për të inkurajuar individët dhe subjektet me ide inovative biznesi të përfitojnë nga mundësitë e financimit dhe mbështetjes që ofron thirrja për Grante 2025 nga Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
Ky projekt synon të mbështesë zhvillimin e bizneseve të reja dhe të qëndrueshme në sektorë kyç, duke ofruar mundësi financimi deri në 9 milionë lekë.
Në këtë takim, përfaqësuesja e StartUp Albania, Znj. Sjuzi Lazebeu, shpjegoi detajet e aplikimit dhe hapat për të përfituar nga kjo mundësi, duke e ndarë thirrjen në tre faza financimi. Faza e parë ofron 1.5 milion lekë, faza e dytë 4.5 milion lekë dhe faza e tretë 3-9 milion lekë. Ky fond mbulon deri në 100% të kostove të buxhetit të projektit për fazën e parë, 85% për fazën e dytë dhe 75% për fazën e tretë.
Industritë prioritare për këtë grant përfshijnë ICT/BPO, Energjinë, Prodhimin, Turizmin, Agro-Biznesin dhe Ekonominë e Gjelbërt & Digjitale. Po ashtu, janë ofruar stimuj për aplikantët që i përkasin grupeve të caktuara, si gratë dhe vajzat, si dhe për startup-et që ofrojnë zgjidhje dixhitale dhe të gjelbra, duke ofruar një bonus prej 5% mbi pikët e marra.
Afati i fundit i aplikimit për grant është 30 dhjetori, e ndërsa fituesit do të shpallen në janar 2025.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës ka luajtur një rol të rëndësishëm si ndërmjetësuese, duke ofruar mbështetje dhe orientim të gjithanshëm për të gjithë ata që dëshirojnë të zhvillojnë projekte inovative dhe të qëndrueshme.