Mision biznesi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në Filipine, nënshkruhet marrëveshja me PCCI

Mision biznesi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në Filipine, nënshkruhet marrëveshja me PCCI

Një delegacion biznesi, i përbërë nga 10 sipërmarrës, anëtarë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, dhe i kryesuar nga kryetari z.Nikolin Jaka, zhvilloi një vizitë zyrtare më 20 nëntor 2023 në Filipine, Manila, ku u mirëprit në një klimë të ngrohtë nga presidenti në detyrë i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Filipineve, z.Felino Palafox.

Kjo vizitë, e para e këtij niveli në këtë shtet, shërbeu gjithashtu për të vendosur një bashkëpunim të ri mes dy Dhomave tona, duke nënshkruar edhe një Memorandum Mirëkuptimi.

Gjatë bashkëbisedimit të zhvilluar, z.Jaka dhe z.Palafox, u shprehën të vendosur se firmosja e kësaj marrëveshjeje është fillimi i punës për bashkëpunim të ndërsjellë dhe avancimin e aktiviteteve të përbashkëta

Gjetja e fuqisë punëtore ishte ndër objektivat kryesorë të takimeve intensive me zyrtarë të Departamentit të Emigracionit dhe Dhomës homologe.

“Mund të jetë një potencial real për bashkëpunimin ekonomik, aq më tepër që interesi për të rekrutuar kapital human profesional është i lartë nga e gjithë sipërmarrja shqiptare. U premtua nga përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Filipineve që kapitali human është profesional dhe teknik. Është koha e duhur që qeveria shqiptare të reflektojë dhe të japë garancitë e duhura që i duhen edhe qeverisë së Filipineve, në mënyrë që kapitali human që vjen në Shqipëri nga Filipinet të ketë siguri juridike për rekrutimin e tyre në punësim”, u shpreh z.Jaka pas takimit me drejtuesit e Dhomës homologe.

“Procedurat për të ardhur një punonjës nga Filipinet në Shqipëri mund të shkojnë nga 4 deri në 6 muaj. Por, bazuar edhe në bisedimet e vizitës, shpresojmë që përmes një marrëveshjeje midis dy qeverive, kjo procedurë mund të shkurtohet maksimalisht, jo më shumë se 1 deri në 2 muaj”, tha z.Loritan Prespa, Konsull Nderi i Republikës së Filipineve.

“Faleminderit që na vizituat. Kjo është një ngjarje historike. Shoh mundësi shumë të mira bashkëpunimi biznesi në kulturë, turizëm, agrokulturë, energji etj. Si dy vende në zhvillim, ne mund të mësojmë shumë nga njëri-tjetri. Gjithashtu, vlerësoj arritjet e Shqipërisë në turizëm, çmuese që një vend me një popullsi prej 3 milionë banorësh ka gjeneruar 9 milionë turistë. Premtoj që do të realizoj një vizitë në Shqipëri shumë shpejt”, pohoi presidenti në detyrë i PCCI, z.Felino Palafox.

Ky mision shërbeu si një mundësi e shkëlqyer për bizneset për të eksploruar dhe krijuar bashkëpunime, përmes takimeve B2B, me palët e interesuara në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Share this post