Kryetari i DHTIT zoti Nikolin Jaka në Panairin e Punës dhe të Karrierës: Në misionin e një institucioni të dijes, sfida kryesore është përshtatja e të rinjve për daljen në tregun e punës
Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit, Bashkinë e Tiranës, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Durrës dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, organizuan në datë 24 qershor, në mjediset e Fakultetit të Biznesit, Spitallë “Panairin e Punës dhe të Karrierës”.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë Tiranë, zoti Nikolin Jaka në fjalën e tij të përshëndetjes u shpreh se “në misionin e një institucioni të dijes, sfida kryesore është jo vetëm formimi i tyre akademik, por përshtatja e tyre për daljen në tregun e punës”. Sipas Jakës zhvillimi i ekonomisë së dijes, e bën investimin në kapitalin njerëzor, faktor përcaktues për një rritje ekonomike të qëndrueshme si dhe për rritjen e produktivitetit të kompanive.
“Ne si Dhomë e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, prej më shumë se 12 vitesh organizojmë evente që kanë pikërisht këtë qëllim, për t’i ardhur në ndihmë të rinjve nga njëra ana që të fokusohen në dijet që duhet të marrin dhe sipërmarrjes nga ana tjetër që të dijë si të orientojë të rinjtë për të hyrë në tregun e punës”, u shpreh Jaka duke shtuar se “jam i bindur që sa më shumë organizime të tilla do të na çojnë në shinat e duhura dhe është detyrë e sistemin arsimor, dhe e jona si sipërmarrës dhe e politikave qeveritare që të krijojmë trasenë e duhur që të rinjtë të dinë ku të ecin”
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë nënshkroi gjithashtu dy marrëveshje bashkëpunimi me dekanin e Fakultetit e Biznesit të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, zotin Shkëlqim Fortuzi dhe me rektoren e Universitetit zonjën Kseanela Sotirofski.
Ky Panair synon të shërbejë si pikëbashkimi për vendosjen e marrëdhënieve konkrete të komunikimit dhe bashkëpunimit midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, si dhe për të prezantuar mundësitë që ofron ky treg në Durrës dhe më gjerë.
Në këtë Panair morën pjesë sipërmarrje të rëndësishme nga Bashkitë Durrës, Tiranë, Krujë, Kavajë, etj. si dhe përfaqësues të institucioneve kryesore vendore, përfaqësues të projekteve të bashkëpunimit në fushën e arsimit, formimit profesional dhe punësimit, si edhe zyrat vendore të punësimit.
Gjatë Panairit u organizua edhe një Forum Akademik më aktorë të rëndësishëm të botës akademike, sipërmarrjes dhe institucioneve publike, për të diskutuar mbi prirjet e tregut të punës në vitin 2021, përvojën dhe kërkesat e aktorëve të tregut të punës për përmirësimin e kurrikulave studimore, dhe çështje të tjera me rëndësi.