Kredi me kushte të favorshme për rritje dhe zhvillim të SME-ve! Z.Jaka dhe Z.Lasku prezantojnë Programin Italo-Shqiptar të financimit
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, në bashkëpunim me Njësinë e Menaxhimit të Programit Italo-Shqiptar për Zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në Shqipëri, pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, zhvilloi një sesion informues me përfaqësues të biznesit.
Fokusi kryesor i takimit ishte prezantimi i Programit Italo-Shqiptar të financimit për SME-të, i cili synon të mbështesë bizneset në marrjen e kredive me kushte të lehtësuara, në krahasim me kreditë komerciale. Bëhet fjalë për një fond total prej 30 milionë euro.
Në fjalën e tij, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, z. Nikolin Jaka, u bëri thirrje bizneseve që të bëhen pjesë e kësaj nisme, duke theksuar se kjo është një mundësi reale për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të përfituar nga mbështetja financiare në një moment të rëndësishëm për vendin, rruga drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Nga ana e tij, z. Gavril Lasku, Drejtor i Programit Italo-Shqiptar për Zhvillimin e SME-ve, theksoi se ky program do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e bizneseve përmes përmirësimit të teknologjisë dhe rritjes së konkurrueshmërisë.

Ndërkohë, Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj. Blerta Rama, nënvizoi rëndësinë e përfshirjes aktive të biznesit në procesin e Integrimit Europian. Ajo u bëri thirrje sipërmarrësve të përfitojnë nga këto iniciativa, për të qenë të përgatitur për sfidat dhe mundësitë e një tregu ndërkombëtar.
Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 30 biznese, anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, të cilat u informuan mbi kriteret dhe kushtet për përfitimin e fondeve në kuadër të programit, si dhe mbi hapat konkretë që duhet të ndjekin për të përfituar nga ky financim.

- Detaje nga programi
–Ky është një program i përbashkët i Qeverisë Italiane dhe Qeverisë Shqiptare për të mbështetur zhvillimin dhe forcimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME), me anë të ndërhyrjeve që synojnë rritjen e aksesit të tyre në ambientin e favorshëm për rritjen e qëndrueshme.
-Objektivi kryesor është përmirësimi i aksesit në kreditin bankar, për projekte investimi që kanë për qëllim konvertueshmërinë në tregun lokal dhe ndërkombëtar, rritjen e inovacionit teknologjik dhe përmirësimin e cilësisë së produktit.
-Përfitues të nismës janë kryesisht SME shqiptare, të marra si njësi të veçanta prodhimi, sipas përcaktimeve të Bashkimit Europian e përfshira nën legjislacionin shqiptar.
-Programi parashikon përdorimin e mjeteve financiare dhe jo financiare për të arritur një ndihmë SME përfituese duke favorizuar realizimin e investimeve që synojnë rritjen e cilësisë së proceseve prodhuese.
-Programi, në dy faza, u është parashikuar një instrumenti të rëndësishëm financiar (komponentë të huasë e grantit):Buxheti: 42.5 Milion Euro (Faza 1 – PRODAP$: 27.50 Mil. Euro dhe Faza 2 – IASME: 15 Mil. Euro)Grant komponentë: 1.7 Mil. Euro