Katari gati të investojë në Shqipëri! Kryetari i DHTIT-së, Nikolin Jaka takon ambasadorin Al Dossari
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, Z. Nikolin Jaka, së bashku me një përfaqësi biznesi, anëtar të DHTIT-së u prit në një takim nga ambasadori i Katarit në vendin tonë, Z. Jabor Ali Hussein Al Dossari. Qëllimi i këtij takimi ishte forcimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Në fjalën e tij, ambasadori theksoi se Katari ka një interes të jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe për këtë arsye ka kërkuar bashkëpunimin me DHTIT, që të shërbejë si katalizatorë dhe një urë lidhëse me biznesin.
“Kam pasur biseda me njerëz të rëndësishëm në Katar dhe ata më informuan që Katari ka një interes të madh për Shqipërinë. Ata janë të interesuar të diskutojnë për mundësitë e investimeve, të kuptojnë nevojat dhe të identifikojnë fushat ku mund të bëhen investime më të rëndësishme. Me ndihmën tuaj, si Kryetar i Dhomës së Tregtisë, shpresojmë të realizojmë diçka dhe të lehtësojmë përpjekjet për të nxitur bashkëpunimin, edhe pse mund të jetë një hap i vogël në këtë drejtim”, u shpreh ambasadori.
Nga ana tjetër, kryetari i DHTIT-së, Z. Jaka u prezantoi 3 sektorët kyç që mund të jenë shumë me interes për sipërmarrësit e Katarit. Bëhet fjalë për Bujqësi- Agro-përpunimin, turizmin dhe energjinë. Në emër të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, Z. Jaka u shpreh i gatshëm për t’u ofruar sipërmarrjeve të interesuara në Katar të gjithë logjistikën dhe mundësinë për të gjetur partnerë lokalë, të besueshëm shqiptarë.
“Për të përcaktuar fushat e interesit, mund të fokusoheni në këto tri sektorë që janë shumë interesantë për investitorët e Katarit, Bujqësia – Agro-përpunimi, Turizmi, Energjia. Nëse nga sipërmarrjet e Katarit ka interesa të tjera, mund t’u ofrojmë të gjithë logjistikën dhe mundësinë për të gjetur partnerë lokalë, që do të mundësojnë binjakëzimin e interesave.
“Banka për Zhvillimin e Katarit do të kishte një rol të rëndësishëm në bindjen e biznesit vendas për të filluar dhe për të parë shkëndijat e para të investimeve. Mendoj se do të ishte e dobishme të na dërgoni fushat e interesit të biznesit të Katarit, dhe ne mund t’ju ndihmojmë për të gjetur sipërmarrësit e gatshëm për investim dhe të sigurohemi për qëndrueshmërinë e biznesit”, u shpreh Z.Jaka.
Në përfundim të takimit, Z. Jaka sugjeroi që një delegacion nga Katari të vizitojë Shqipërinë, për të parë nga afër klimën e biznesit dhe jo vetëm, ku këmbënguli se përtej politikës, fokusi duhet të vihet edhe te sektori privat, si një ndër motorët kryesor të zhvillimit. Ndërkohë, Z. ambasador shprehu gatishmërinë për t’iu ofruar mundësinë bizneseve shqiptare, anëtare të Dhomës, të marrin pjesë në panairin bujqësor që do të mbahet në shkurt të 2025 në Katar, si edhe për një takim me dhomën e Biznesit të Katarit.