Jaka në konferencën “Biznesi nuk njeh kufinj”: Në biznes është e rëndësishme të jemi të drejtpërdrejtë

Jaka në konferencën “Biznesi nuk njeh kufinj”: Në biznes është e rëndësishme të jemi të drejtpërdrejtë

Jaka në konferencën “Biznesi nuk njeh kufinj”: Në biznes është e rëndësishme të jemi të drejtpërdrejtë

Në orët e pasdites së 3 shkurtit 2021 biznesi shqiptar dhe ai grek ishin pjesë e forumit të sipërmarrjes “Biznesi nuk njeh kufinj”, aktivitet që për shkak të pandemisë u zhvillua online. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zoti Nikolin Jaka si një nga bashkëorganizuesit e aktivitetit që në krye të herës vlerësoi mundësinë e shkëmbimit të vlerave të sipërmarrjes së të dy vendeve, duke kërkuar që në një kohë të shpejtë të dy Dhomat të kenë një agjendë të përbashkët.

“Ne kemi një agjendë të përbashkët për të nënshkruar mes dy dhomave tona të cilën do ta kryejmë në një kohë të shpejtë”, u shpreh zoti Jaka në fjalën e tij, por nga ana tjetër ai theksoi se shkëmbimi tregtar mes dy vendeve tona nuk është ndalur edhe në kohë të vështira. “Marrëdhënia jonë është e konsoliduar. Komuniteti ynë në Greqi ka dhënë sinjalet e tij për ngritjen e sipërmarrjes shqiptare në këtë shtet dhe kjo është për t’u vlerësuar për mundësitë që janë dhënë”, u shpreh kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

Dhomat e Tregtisë sipas zotit Jaka do punojnë fort që të kenë agjenda të përbashkëta komunikimi, por nga ana tjetër u shpreh ai “është qeveria që duhet të ketë një listë të projekteve për sektorë të veçantë, projekte të cilat qeveria jonë i ka, në mënyrë që të dimë ku të adresojmë biznesin grek”.

Po kështu kreu i DHTIT renditi dhe problematikat që ekzistojnë mes dy vendeve tona. “Transporti i udhëtarëve kërkon një zgjidhje dhe ne duhet të gjejmë një zgjidhje”, u shpreh Jaka, duke theksuar se “është e rëndësishme të jemi të drejtpërdrejtë në ngritjen dhe zgjidhjen e problematikave që ekzitojnë”.

Forumi i biznesit u organizua nga Dhoma e Tregtarëve të Athinës në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë. Pjesë e panelit të aktivitetit ishin kryetari i Dhomës së Tregtarëve të Athinës (E.E.A), z. Giannis Chatzitheodosiou; ministri i Zhvillimit dhe Investimeve të Republikës së Greqisë, z. Adonis Georgiadis; ministri i Shtetit të Republikës së Shqipërisë për Diasporën, z. Pandeli Majko; ministrja e Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë, znj. Anila Denaj; ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, kryetari i Komisionit të Organizimit z. Kristaq Konduri, anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës së Tregtarëve të Athinës; kryetari i Komunitetit Shqiptar në Greqi, z. Ermal Sulaj; Kryetari i  Biznesmenëve Greko-Shqiptarë të Greqisë së Veriut, z. Arian Gusho etj.

 

Share this post