Jaka në 125 vjetorin e DHTIT, falenderim për sipërmarrjen dhe premtim për rritjen e bashkëpunimit

Jaka në 125 vjetorin e DHTIT, falenderim për sipërmarrjen dhe premtim për rritjen e bashkëpunimit

Jaka në 125 vjetorin e DHTIT, falenderim për sipërmarrjen dhe premtim për rritjen e bashkëpunimit

*Ju falenderoj të gjithëve për praninë tuaj në këtë moment të rëndësishëm për Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

Ndihem i privilegjuar që arritëm të ndajmë bashkë këtë moment të veçantë për institucionin më të rëndësishëm të sipërmarrjes së Tiranës. Edhe pse në kohë të vështira që situata pandemike krijoi, sot duke ruajtur çdo rregull të distancimit fizik, jemi bashkë me shpresën që e nesërmja do të vijë më e mirë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë daton 125 vite më parë, referuar kjo dokumentit më të vjetër që kemi arritur të hulumtojmë. Në më shumë se një shekull dhe në më shumë se 15 vite kur është krijuar shteti shqiptar, tregtarët kanë mundur të gjejnë bashkimin e tyre.

Në këto 125 vite Dhomat Tregtar kanë kaluar nëpër një labirinth të gjatë përpjekjesh e arritjesh, sfumimesh e devijimesh misioni, kjo e varësuar tërësisht në atë çfarë politika në gjurmë të kohës ka sjellë për vendin tonë.

 

Të nderuar miq,

Rritja dhe zhvillimi i Tiranës, nga një hapësirë urbane e zakonshme, arriti të tejkalojë, për nga madhësia dhe rëndësia, shumë qytete të tjera hijerënda dhe të lashta të hapësirës shqiptare. Edhe shekulli ynë duket se ka ruajtur të njëjtën marrëdhënie të privilegjuar me Tiranën, e cila vijon të rritet dhe të zhvillohet me ritmin e saj të lartë.

Sot ju keni në dorë botimin e një historiku të shkurtër të Dhomës së Tregtisë së Tiranës, i cili synon që të jetë një kontribut publik dhe institucional, më shumë sesa një kontribut i mirëfilltë në fushën e historisë, pavarësisht titullit të tij.

Në këtë kuptim, qëllimi i këtij botimi është më shumë e ardhmja sesa e shkuara, me besimin se, duke sistemuar në trajtë të shkruar një pjesë të së kaluarës së këtij institucioni, krijohen disa premisa të qëndrueshme për zhvillimin e tij në të ardhmen.

Dhomat e tregtisë dhe industrisë janë institucione të vjetra dhe krejt të natyrshme të botës së zhvilluar perëndimore. Ato kanë luajtur një rol të dorës së parë në transformimin e shoqërisë në të gjitha drejtimet e saj. Roli i këtyre institucioneve ka qenë dhe mbetet përcaktues në zhvillimin e ekonomisë, industrisë, tregtisë, kulturës, arsimit e shkencës, duke i bërë ato aktorë me rëndësi të madhe shoqërore.

Edhe për arsye të një perceptimi të gjymtuar të trashëguar nga historia jonë, organizimet e biznesit në tërësi, pra edhe roli i Dhomave të tregtisë e industrisë, ende kuptohet pak apo dhe shtrembër nga pjesë të caktuara të politikës, opinionit publik dhe të vetë shoqërisë. Jo rrallë, këto organizime perceptohen keq, vetëm si grupime të thjeshta interesi, rreth të cilave mblidhen biznese me qëllim maksimalizimin e përfitimeve.

 

Në të vërtetë, ky është një përfytyrim krejtësisht i gabuar dhe paragjykues, që bazohet në një kuptim të vjetër mbi rolin e iniciativës së lirë në zhvillimin e shoqërisë. Në kuptimin modern, Dhomat e tregtisë dhe të industrisë janë aktore të rëndësishme shoqërore, të cilat kanë si qëllim të kontribuojnë në mirëmbajtjen e një mjedisi të lirë dhe të shëndetshëm për zhvillimin e iniciativës së lirë, prej të cilës përfiton e gjithë shoqëria.

Historia e vjetër, e Dhomave të tregtisë dhe industrisë në Tiranë dhe në Shqipëri, por edhe ajo më e reja, na tregon një trajektore plot lëkundje dhe thyerje, me suksese, por dhe me shumë keqkuptime, rreth rolit dhe përgjegjësisë së këtyre institucioneve jetike për zhvillimin e ekonomisë dhe të vetë shoqërisë.

Por tej kësaj trajektoreje, sipërmarrja ka ditur të ecë para në hapat e saj dhe të mbijetojë pavarësisht vështirësive në të cilat ajo është ndeshur.

Të nderuar miq,

Shqipëria, ashtu si e gjithë bota, përjetoi dhe akoma vazhdon të kërcënohet nga COVID-19 dhe mutacionet e tij. Dhe nuk mund të harrojmë se kjo ndodhi menjëherë pas tërmetit shkatërrues të nëntorit 2019, duke e futur ekonominë e vendit në një recesion të rëndë.

Krizat dhe vështirësitë e fundit na ofruan edhe mundësitë për të mbijetuar, duke treguar qëndrueshmërinë dhe shpirtin inovator të sipërmarrjes. Normalizimi relativisht i shpejtë i aktivitetit ekonomik mundësoi rikuperim pozitiv, ku sipërmarrja u rihap me sektorin e turizmit, me sektorin e ndërtimit duke përfshirë edhe rindërtimin pas tërmetit të 2019-s, me zhvillimin e teknologjisë së informacionit etj, duke ofruar një mbështetje thelbësore për ekonominë.

Jam i dyzuar dhe nuk dua ti referohem treguesve makroekonomikë që për vitin që sapo mbyllem janë pozitive, por nga ana tjetër, ne e dimë dhe jemi te vetëdijshëm se ka shumë realitete dhe histori individuale deri në mbyllje të sipërmarrjeve dhe largime nga puna që akoma vazhdojnë të jenë  me ndikim të lartë në sigurimin e jetesës në këto kohë të vështira që po përjetojmë.

Edhe për Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tirane, nuk ka qene e lehte situata qe ne kemi kaluar, qe kufizimet e orareve për lëvizjen kanë sjellë anulimin e shumë eventeve, aktiviteteve apo takimeve që do zhvilloheshin në kuadër të veprimtarisë se këtij institucioni.

DHTIT sot ndjehet krenare. Ajo  është zëri më përfaqësues i biznesit për qarkun e Tiranës, e përkushtuar në mbrojtjen e interesave të anëtarësisë së saj. Duke bashkëpunuar ngushtë me anëtarësinë e saj, me organizata të tjera lokale dhe shoqërinë civile, DHTIT mbetet një promotore aktive në rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë në tërësi.

DHTIT është një pjesëtare aktive e organizatave te biznesit në tregun rajonal dhe Evropian, për të mbështetur dhe nxitur zbatimin e MTL- CEFTA, KONVENTEN PEM  (Konventa Rajonale mbi Rregullat e Origjinës Preferenciale Pan-Euro-Mesdhetare), përfaqësimin e zërit të sipërmarrjeve tona për barrierat që ato hasin, mbi të gjitha për te dialoguar me institucionet politikbërëse të vendeve që janë pjesë të këtyre marrëveshjeve.

Menaxhimi e një sërë projektesh, veçanërisht të implementuara në partneritet me organizata të tjera partnere brenda jashtë vendit, të financuara nga Programe të Bashkimit Evropian kane ndikuar ne rritjen e konkurueshmerise dhe inovacionit për sipërmarrjet tona.

Organizimi i panaireve dhe ekspozitave lokale dhe ndërkombëtare, misioneve te biznesit dhe trajnimeve për nevoja te sipërmarrjes, konsiderohen disa prej shërbimeve të rëndësishme të DHTIT në promovimin e biznesit shqiptar dhe krijimin e mundësive të tyre për t`u rritur, zhvilluar dhe zgjeruar në tregje të reja, në aplikimin e teknologjive të reja bashkëkohore, si dhe në përmbushjen e standardeve të kërkuara nga tregu rajonal dhe Evropian.

DHTIT është prezente në një numër të konsiderueshëm vendesh në botë, nëpërmjet përfaqësuesve te saj duke mundësuar një kontribut për prezantimin e Shqipërisë ashtu dhe tërheqjen e investimeve te huaja ne vendin tone.

DHTIT ndjehet krenare, si anëtare dhe pjesëtare aktive ne disa organizata ndërkombëtare te biznesit të tilla si IÇ, ASCAME, BSEC, etj.

Vlerat themelore te DHTIT për anëtarësinë e saj bazohen në: Respekt, Bashkëpunim, Kreativitet, Profesionalizëm dhe Përgjegjësi. Për vitin 2022 qe sapo kemi filluar drejtimet e punës se saj janë përqendruar ne: mbështetjen  dhe promovimin e  sipërmarrjes për rritjen e produktivitetit dhe konkurueshmërisë në tregun rajonal dhe atë global; zgjerimin e portofolit të shërbimit në funksion të edukimit dhe kualifikimit të burimeve njerëzore për sipërmarrjen; dhe si avokate e zërit dhe nevojave te anëtarësisë se dhomës, për  ndërmarrjen e nismave ligjore që ndikojnë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe nxitjes se investimeve.

 

Të nderuar miq dhe të ftuar,

 

Ky jubile ka në qendër të saj pikërisht sipërmarrjen. Atë biznes që në ditët e tij më të vështira ka ditur të jetë kreativ dhe konkurrent njëkohësisht,  i guximshëm por dhe i matur.  Duke vlerësuar pikërisht këta faktorë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, sjell dhe këtë radhë më të mirët e sipërmarrjes, jo vetëm të Tiranës, por të gjithë trevave ku flitet shqip dhe konsumohet shqip. Më shumë se 30 kompani me drejtuesit e tyre janë pjesë e vlerësimit të bërë nga institucioni ynë.

Janë vlerësuar për atë çka ditën të bëjnë më mirë në vitin e vështirë që lamë pas. U përshtatën me kushtet e reja duke qenë pranë konsumatorit me cilësinë më të lartë të mundshme. Madje një pjesë prej tyre sollën teknologji krejtësisht të re, duke investuar dhe qenë konkurrente të denja me simotrat e tyre europiane.

Jemi të përulur dhe mirënjohës ndaj tyre që mbi të gjitha dhanë një kontribut të paçmuar në zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë do të mbetet përfaqësuesja e biznesit në mbështetjen dhe inkurajimin e punës së tyre. Ky institucion do të vijojë të zhvillohet, duke ruajtur pulsin dinamik të këtij qyteti që nuk pushon së rrituri, duke i qëndruar besnik qëllimit të një organizmi që më shumë bashkon vizione zhvillimi sesa interesa, duke ruajtur një marrëdhënie me historinë e saj, por duke e mbajtur kursin përherë të orientuar nga e ardhmja.

Ndaj më lejoni që në fund të kësaj fjale të përshëndes ata sipërmarrës e sipërmarrësve që pavarësisht çdo pengese, do të jenë në krye të zhvillimit të qytetit duke dhënë më të mirën e tyre.

 

Ju faleminderit

 

*Fjala e plotë e kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zotit Nikolin Jaka

Share this post