Irena Topuzi: “Gjithmonë në jetë kam besuar se: “Puna shpërblehet””
Hotel Mondial sot është një pikë reference dhe orientuese në Tiranë. Nuk ka qenë e lehtë për të mbërritur këtë pikë. Irena tregon me thjeshtësinë e saj se si e kanë nisur së bashku më bashkëshortin të parin bar privat në Tiranë dhe si sot e ndiejnë veten të realizuar në këtë pikë. A kanë patur momente të vështira ku dhe kanë dashur të tërhiqen? Patjetër që po, por ta pyesësh Irenën nëse do të ishte kthyer pas në kohë a do të kishte bërë të njëjtën gjë, të thotë me bindje PO. Një nënë e realizuar dhe që ndihet krenare për djemtë e saj, ka mundur të gjejë kohën të mbajë një biznes dhe të jetë sa më afër tyre në fazat e rritjes dhe të formimit dhe është e bindur që biznesi i saj do të trashëgohet, duke mbetur familjar dhe duke afruar cilësinë e duhur për klientët besnikë të Mondial
Kur e keni filluar biznesin tuaj, çfarë produkti ose shërbimi ofroni për tregun?
Në vitin 1989, Ramiz Alia sapo filloi të artikulonte pronën private. Parashikuam me intuitë se diçka do të ndryshonte, ndaj dhe si familje morëm iniciativën e guximshme për të ndërtuar një Bar-Restorant. Aktiviteti filloi në 25.12.1991 si Bar, duke u kthyer në 1992 në “Restorant MONDIAL” , pikënisja e një emri tashmë të konsoliduar, restoranti i tretë shqiptar pasi “Petrela” dhe “Mantho” kishin filluar aktivitetin. Shumë shpejt u bë qendra e të gjithë elitës vendase e të huaj, mund të siguroje vend vetëm duke prenotuar. Viti 1998 do të ishte vendimtar për ne, do të fillonte me kapacitet të plotë Hotel MONDIAL. Historia e Hotel Mondial nisi si dëshirë për ndryshim, si dëshirë për të punuar për vete. Prejardhja e familjes na e ofronte këtë eksperiencë.
Si është të jesh sot një grua në biznes?
Sigurisht që është më e vështirë se sa për një burrë, por kur bëhet fjalë për biznes familjar je më e lehtësuar, sepse i ke të ndara detyrat dhe komunikimi bëhet më i lehtë. Në kompanitë që kanë të bëjnë me shërbimet gruaja është në vendin e saj dhe sigurisht merr prioritet.
Me sa punonjës e keni nisur punën në kompani dhe sa keni sot?
Kemi nisur punën në kompani me dy persona dhe sot jemi 50 punonjës.
Nëse do të ishit kthyer disa vite më parë do të bënit sërish të njëjtën gjë?
Me vendosmëri PO. Pavarësisht se unë jam me profesion ing. ndërtimi (Gjeodezi) dhe vij nga shkencat ekzakte, por t’u shërbesh njerëzve ndihesh i vlerësuar. Ju përkushtuam kësaj pune që na dha kënaqësi dhe besim.
Fakti që kohën tuaj në sipërmarrje e ndani me bashkëshortin, jua ka bërë punën më të lehtë apo ju ka penalizuar në raste të caktuara?
Sigurisht që e ka bërë punën më të lehtë sepse i kemi të ndara detyrat, kjo për mbarëvajtjen sa më mirë të biznesit. Është një kompani që funksionon me drejtim horizontal dhe departamente, ku secili përgjigjet për sektorin që drejton. Ka ditë të ngarkuara që takohemi në shtëpi pas pune.
Si është te jesh nënë, si e menaxhon kohën e saj dhe a mendoni që keni qenë mjaftueshëm prezente për fëmijët e tu kur ata kanë patur nevojë? Sa ke ndikuar në formimin e tyre?
Kam dy djem. Tani janë në moshë madhore 31 dhe 26. Në kohën që ne filluam biznesin, ishin fare të vegjël, kishin shumë nevojë për ne, sidomos për praninë time. Kam punuar në atë mënyre që unë të isha pranë tyre. Në vitin 1991 -1992 kishte mungesë punonjësish, sepse ishin në pune shteti dhe ta lije punën dhe të punoje në privat ishte e paimagjinueshme, kështu që ishte e detyruar të angazhohej gjithë familja, bile dhe prindërit tanë. Bashkëshorti merrej me furnizimet dhe banakun deri në orët e vona, unë me pjekjen e kafes, larjen e mbulesave me lavatriçet çeke që duhet ta mbaje nën kontroll së bashku me fëmijët. Vitet iknin shpejt, fëmijët filluan shkollën dhe u detyrova të punoja vetëm paradite. Pasditet ja përkushtova edukimit të fëmijëve. Sot jam krenare sepse nuk me shkoi kot lodhja, mundimi, stresi. Ata kanë dalë në jetë, djali i madh është arkitekt dhe punon në Bashkine e Tiranës. Është ai që tani merret edhe me arredimet e hotelit. Djali i dytë mbaroi menaxhim Hoteli (mbas masterit) dhe sot punon me ne. Biznesi do të kalojë në duar të sigurta dhe do të mbetet përsëri familjar.
Cili ka qenë një moment suksesi që ka vendosur të ardhmen tuaj në sipërmarrje dhe a keni patur raste kur keni thënë mjaft nuk mund të vazhdoj më?
Vendimi me i vështirë në jetë: Aplikimi për leje ndërtimi duhej shoqëruar me një deklaratë që me mbarimin e objektit unë dhe bashkëshorti duhet të largoheshim nga puna shtetërore. Në rast se punimet nuk përfundonin brenda afatit 1.5 vjet, toka së bashku me investimin i kalonte një personi tjetër. Bashkëshorti ishte kryeinxhinier në një nga ndërmarrjet më të mëdha të Tiranës dhe unë në një punë shumë të mirë. Na duhej të vendosnim. Dhe morëm vendimin që na ndryshoi jetën.
Jemi gjendur shpesh herë në momente të vështira. Mjafton të kujtosh vitin 1997 kur ishim në fazën e ndërtimit të hotelit. Aktivitetin e mbyllem për shkak të shtetrrethimit. Inflacioni kaloi me dy shifra, çmimet u dyfishuan. Bankat nuk ishin miqësore, interesat e kredisë nga 22% kapërcyen në 32%. Kredia që kishim marrë nuk mjaftoi as për karabina e jo për të përfunduar e filluar aktivitetin. Është dashur të marrim vendime të rëndësishme kur të gjithë menduan falimentin. Por ato kaluan dhe nuk duam as t’i kujtojmë. Sigurisht që ka momente suksesi që të japin shumë kënaqësi, ato janë të shumta. Mjafton të mendosh që Hotel MONDIAL është pikë referimi në Tiranë. E filluam si Bar-i i parë privat në Tiranë e Shqipëri, duke ndryshuar mentalitetin e të pirit kafe dhe kjo është arritje. Gjithmonë në jetë kam besuar se: “Puna shpërblehet”.
Ndryshe nga fillesat tuaja të biznesit, çfarë politikash nxitëse mendoni se duhet të ndërmarrë qeveria për mbështetjen e gruas sipërmarrëse, do të mund të bëhej më mirë?
Mendoj se duhet më shumë vëmendje ndaj gruas, shteti duhet të jetë më social. Duhet të jepen grande që gratë të kenë mundësi të bëjnë biznes e të jenë të pavarura dhe kredi me interesa të diferencuara.
Hotel MONDIAL Tiranë
Hotel Mondial e filloi aktivitetin në vitin 1991 si Bari i parë privat në Tiranë ku bëhej kafe si sot me ekspres profesional. Në vitin 1992 kaloi si Bar-Restorant MONDIAL, mbas Restoranteve “Petrela” dhe “Mantho”. Dhe në vitin 1998 si Hotel MONDIAL ashtu siç është edhe sot. Është një hotel i ngrohtë biznesi, mobiluar me stil neoklasik, ndërthurur me atë modern. Ka rreth 3200 m2 ndërtim në gjashtë kate dhe një kat nëntokë. Kati i parë është ideuar për shërbime konference me 6 salla mbledhje me kapacitet nga 20 deri në 150 persona dhe një Bar në shërbim të tyre. Bar-i ka një pamje mbi rrugë, ideuar me tavan xhami. Janë 36 dhoma e 6 suita të gjitha të ndryshme nga njëra-tjetra. Frekuentohet nga një klientelë pothuajse fikse dhe ku stafi është mjaft miqësor. Kati i fundit është pishinë e hapur dhe një bar nga ku mund të shijosh pamje të Tiranës. Mondial është një vlerë e shtuar në turizmin shqiptar si meritë e punës në ekip të një stafi profesional prej 50 vetësh dhe për vite me radhë është konsoliduar e përmirësuar.