“Gruaja sipërmarrëse dhe artizane drejt Europës”, DHTIT mban konferencën në mbështetje dhe fuqizim të grave në biznes
Në prag të ditës së gruas, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë në bashkëpunim me Shoqatën e Grave Profesioniste, Afariste e Zejtare, Dhomën Ekonomikë të Gruas dhe GIZ Albania zhvilluan një konferencë me temë “Gruaja sipërmarrëse dhe artizane drejt Europës”.
Nën drejtimin e Sekretares së Përgjithshme të DHTIT-së, znj. Albana Laknori, të pranishme ishin ministrja për Sipërmarrjen, znj. Delina Ibrahimaj, kryetarja e SH.G.P.A.Z-së, znj.Flutura Xhabija; kryetarja e DH.E.G-së, znj.Antonela Hako; kryetarja e Unionit të Dhomave, znj. Ines Muçostepa; Drejtoresha e nxitjes së politikave të biznesit, znj.Anxhela Bushati; Menaxherja e projektit SANECA 2-GIZ, znj. Blerina Raca.
Gjithashtu, pjesë e rëndësishme e panelit të dytë ishin edhe ambasadorja fuqiplotë e Japonisë në Shqipëri, shkëlqesia e saj, znj. Kato Kikuko; ekspertja e integrimit në Bashkimin Europian në ambasadën e Hungarisë, znj. Zsuzsa Besteri; Sekretarja e çështjeve ekonomike dhe tregtare pranë ambasadës së Greqisë, znj. Vasili Agoritsa dhe menaxherja e projektit të BE-së, për ekonominë qarkulluese dhe qytete të jetueshme, znj. Christine Konig.

Në fjalën e saj, ministrja për Sipërmarrjen, znj. Ibrahimaj, u shpreh se qeveria është e gatshme të ndihmojë duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin e biznesit dhe krijimin e kushteve më të favorshme për sipërmarrëset. Ajo theksoi se ka një angazhim nga qeveria për uljen e burokracisë, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe financiare që do të ndihmojë sipërmarrëset gra të zhvillojnë aktivitetet e tyre.

Nga ana tjetër, përfaqësueset e ambasadave në Shqipëri dhe ekspertet e fushës dhanë ide konkrete se si mund t’u vihet në ndihmë grave sipërmarrëse, për t’u fuqizuar në tregun, që sot dominohet nga burrat.
Një prej propozimeve ishte ai i ardhur nga ekspertja e integrimit në Bashkimin Europian në ambasadën e Hungarisë, znj. Zsuzsa Besteri, e cila u shpreh se gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri ka pasur mundësinë të takojë nga afër shumë gra punëtore dhe vizionare, prandaj sugjeroi që të mbledhin forcat për krijimin e një brand-i unik shqiptar për produktet artizanale.

Një tjetër propozim i mbërritur ishte edhe ai i krijimit të një platforme me informacione mbi shpërndarjen e fondeve apo të të dhënave të tjera, nisur nga fakti se disa sipërmarrëse shprehën shqetësimin se nuk kanë pasur një ndihmë të mjaftueshme financiare nga shteti.
Në fund, të pranishmit patën mundësi të shihnin nga afër punime unike artizanale të punuara mjeshtërisht nga gratë e Shoqatës së Grave Profesioniste, Afariste e Zejtare.
