Forumi i Biznesit Indi-Shqipëri, sipërmarrësit shqiptarë firmosin kontrata bashkëpunimi me kompanitë indiane
Në kuadër të vizitës zyrtare në Indi të një delegacioni biznesi nga Shqipëria, i kryesuar nga kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, u mbajt në New Delhi Forumi i Biznesit Indi-Shqipëri, si bashkëpunim i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë me Dhomën homologe në Indi (PHDCCI).
Ky forum, me synim eksplorimin e potencialit tregtar dhe investues midis dy vendeve dhe krijimin e mundësive për kompanitë shqiptare, u finalizua me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Dhomave, si dhe me firmosjen e dy kontratave bashkëpunimi mes sipërmarrjeve shqiptare dhe indiane.
Jaka vlerësoi se potencialet për bashkëpunim janë mjaft të mëdha, teksa theksoi nevojën e zgjerimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare me projekte dhe nisma të përbashkëta.
“Një lajm i mirë është se ky forum u shoqërua me firmosjen e dy kontratave nga delegacioni shqiptar dhe sipërmarrja indiane. Të dyja janë në sektorin e prodhimit. Ajo që pashë në këtë vizitë është që sipërmarrja indiane ka interes për ta parë Shqipërinë si një mundësi investimi, jo vetëm për të eksportuar produktet e saj në Shqipëri. Ky është edhe qëllimi ynë, që këtë bashkëpunim, këtë komunikim ekonomik ta kthejmë në një energji dhe vlerë të shtuar për Shqipërinë dhe sipërmarrjen shqiptare. Falenderoj në mënyrë të veçantë Drejtorin Ekzekutiv për pritjen e ngrohtë, por edhe angazhimin dhe gatishmërinë që morëm nga PHDCCI për të zhvilluar një vizitë në Shqipëri”, u shpreh z.Jaka pas përfundimit të takimit.
Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv i PHDCCI, Dr Ranjeet Mehta e cilësoi këtë vizitë një hap pozitiv drejt ngritjes së urave të bashkëpunimit dhe zhvillimit të një agjende të përbashkët komunikimi.
“Jemi të lumtur që mirëpritëm Kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka dhe delegacionin e biznesit që e shoqëronte. E vlerësojmë shumë ardhjen e këtij delegacioni dhe presim bashkëpunim të fortë mes Shqipërisë dhe Indisë, veçanërisht mes dy Dhomave, në mënyrë që të gjithë anëtarët që i janë bashkuar këtij delegacioni, por edhe të tjerë në të ardhmen të mund të përfitojnë”, deklaroi Dr Ranjeet Mehta.
Kompanitë që zhvilluan takime B2B ishin kryesisht të sektorëve të industrisë së përpunimit të mishit, prodhimit të tekstileve, prodhimit të letrës dhe plastikës, produkteve hidorsanitare, tregtimit të mallrave ushqimore e industriale, si dhe arsimit dhe aftësimit profesional dhe kërkimit shkencor.