Forumi i biznesit “Shqipëri-Izrael”. Potencialet për investime dhe perspektivat e bashkëpunimit

Forumi i biznesit “Shqipëri-Izrael”. Potencialet për investime dhe perspektivat e bashkëpunimit

Ambasada e Izraelit në Shqipëri, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, si dhe Institutin e Eksportit në Izrael organizuan këtë të enjte një forum biznesi (B2B).

Një delegacion me përfaqësues të bizneseve izraelite nga sektorët e energjisë, teknologjisë e sigurisë kibernetike, bujqësisë, menaxhimit të ujërave dhe turizmit u njohën më nga afër me potencialin dhe mundësitë konkrete që Shqipëria ofron.

Pjesë e forumit ishte edhe kryetari i DHTIT, z.Nikolin Jaka. Në hyrje të fjalës së tij, z.Jaka, falenderoi ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Znj.Galit Peleg, për ftesën e bashkëpunimit, si dhe i uroi mirëseardhjen delegacionit qeveritar dhe përfaqësuesve të bizneseve izraelite.

Teksa vuri theksin te marrëdhënia e fortë që ekziston ndërmjet dy vendeve tona, z.Jaka u ndal edhe te potencialet ekonomike që Shqipëria ofron, si një vend me shumë mundësi biznesi, e që falë pozicionit të saj gjeografik në Ballkanin Perëndimor mund të shërbejë si një nyje e rëndësishme për investime të huaja në të gjithë rajonin.

My synimin për të intensifikuar dialogun ndërmjet sipërmarrjeve dhe për të shkuar drejt konkretizimit të projekteve të përbashkëta, z.Jaka shprehu gatishmërinë e DHTIT për angazhimin në rritjen e fluksit të informacionit për bizneset izraelite që duan të investojnë në Shqipëri.

Një prezantim më i strukturuar i veprimtarisë së DHTIT-së u pasqyrua nga Sekretarja e Përgjithshme e DHTIT, znj. Albana Laknori.

Ndërkohë, ambasadorja e Izrealit në Shqipëri, znj.Galit Peleg, theksoi nevojën për të vijuar fuqizimin e bashkëpunimeve, ndërsa iu bëri thirrjeve bizneseve izraelite prezente në këtë aktivitet që pas përfundimit të kësaj vizite, t’u përçojnë investitorëve të tjerë izraelitë potencialet që Shqipëria ofron.

Të pranishëm në forum ishin zv.kryeministrja Belinda Balluku, si dhe kryetari i Bashkisë Tiranë, z.Erion Veliaj, të cilët u fokusuan te ndryshimet dhe arritjet që kanë pësuar vitet e fundit sektorët më prioritarë si energjia, teknologjia, infrastruktura etj. Po ashtu, u ftuan palët e interesit që nëpërmjet këtij forumi të zgjerojnë mundësitë e bashkëpunimit.

Në fund të aktivitetit, sipërmarrësit shqiptarë dhe izraelitë zhvilluan takime B2B, duke vendosur ura të reja komunikimi dhe në interes reciprok.

Share this post