Forcimi i kapaciteteve financiare të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, DHTIT dhe IKM zhvillojnë trajnimin 3-ditor
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me Institutin e Kontabilistëve të Miratuar, organizoi me sukses një trajnim tre-ditor me temë “Menaxhimi Financiar i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NMV)”. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të programit REPARIS for SMEs, i cili mbështetet nga Bashkimi Europian.
Trajnimi synonte të forconte kapacitetet financiare të profesionistëve që operojnë në sektorin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përfshirë kontabilistë, analistë financiarë, pronarë dhe menaxherë të NMV-ve.

Në ditën e parë të trajnimit, që u zhvillua më 27 maj, u trajtua tema e planifikimit strategjik. Pjesëmarrësit u njohën me hapat kyç nga përcaktimi i objektivave tek krijimi i hartës strategjike, duke eksploruar shembuj praktikë që pasqyrojnë sfidat reale të NVM-ve shqiptare.
Dita e dytë iu kushtua identifikimit dhe menaxhimit të risqeve, një aspekt kyç në drejtimin e suksesshëm të çdo biznesi. Gjatë sesioneve u analizuan risqet kryesore që përballin NMV-të, si dhe teknikat për matjen dhe reduktimin e tyre.
Në ditën e tretë dhe të fundit, më 29 maj, fokusi ishte te planifikimi operativ dhe strategjia financiare.
Trajnimi u zhvillua nën drejtimin e lektoreve znj. Ornela Kullolli dhe Dr. Nertila Çika, CA, si dhe përfaqësues të Bankës Botërore, z.Jose Simon Rezk dhe z. Pascal Frerejacque, të cilët sollën një kombinim të ekspertizës akademike dhe përvojës praktike.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë është e angazhuar në bashkëpunimin me institucione dhe organizata të ndryshme, me qëllim trajnimin e stafit profesional, si një faktor thelbësor për suksesin e sipërmarrjeve shqiptare.
