Fokus forcimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë! DHTIT pret në takim zyrtar një delegacion biznesi nga Izmir
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë priti në një takim zyrtar një delegacion biznesi nga Izmiri, Turqi, i kryesuar nga z. Rifat Sait, ish-deputet i parlamentit.
Gjatë takimit, Sekretarja e Përgjithshme e DHTIT-së, znj. Albana Laknori, shprehu gatishmërinë dhe interesin e institucionit për të forcuar bashkëpunimin me bizneset turke, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve.
Një ndër pikat e diskutuara ishte mundësia e përfshirjes së bizneseve nga Turqia në panairin “Tirana Food and Fest”, i cili do të zhvillohet në datat 10-12 tetor 2025, në Sheshin Skënderbej, organizuar nga DHTIT, një ngjarje që ofron platformë të rëndësishme për promovimin e produkteve ushqimore dhe artizanale.

Nga ana e tij, z. Rifat Sait shprehu vullnetin për të eksploruar forma konkrete të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Ai gjithashtu paraqiti një ftesë zyrtare për pjesëmarrjen e DHTIT-së në Forumin e Medias, që pritet të mbahet në muajin tetor në qytetin e Izmirit, një tjetër hap drejt forcimit të marrëdhënieve dypalëshe në nivelin e sipërmarrjes dhe komunikimit publik.
Këto ftesa dhe vizita të ndërsjella përbëjnë një tregues të qartë të angazhimit të DHTIT-së, për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes komuniteteve të biznesit në Shqipëri dhe Turqi. Në këtë kuadër, DHTIT ka nënshkruar më herët edhe një memorandum bashkëpunimi me Dhomën Ekonomike të Antalias.