DHTIT nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi
Kryetari Nikolin Jaka nënshkroi këtë të hënë, datë 11.03.2024, një marrëveshje bashkëpunimi me kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi (ATTSO), z.Bilal Kara.
Nëpërmjet këtij memorandumi, synohet forcimi i bashkëpunimit në sektorët strategjikë, me qëllim tërheqjen e investimeve dhe avancimi i një agjende me projekte dhe nisma të përbashkëta.
Teksa nënvizoi marrëdhëniet e mira me Turqinë, kreu i DHTIT u ndal te arritja e objektivit për zvogëlimin e deficitit tregtar.
“Kemi marrëdhënie bashkëpunimi shumëvjeçare me Turqinë. Mundësitë për të bashkëpunuar dhe për të ndikuar në uljen e deficitit tregtar janë të mëdha, sepse kemi një hendek shumë të madh të deficitit tregtar midis Shqipërisë dhe Turqisë. Ka një strategji për të rritur bashkëpunimin, në mënyrë që investitorë nga Turqia të operojnë në sektorët e prodhimit në Shqipëri. Kemi dhe një strategji për të operuar nëpërmjet prodhuesve tanë që janë në Shqipëri në mënyrë që të rrisim shifrat e eksportit”, u shpreh z.Jaka.
Bilal Kara, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi deklaroi se: “Janë rreth 850 kompani turke që operojnë në Shqipëri, me mbi 15 mijë të punësuar. Ky vend ka shumë për të ofruar dhe marrëdhëniet midis dy vendeve do të shërbejnë për të lehtësuar të gjitha burokracitë, në mënyrë që të shpalosen të gjitha potencialet. Fushat kryesore ku ka interes janë energjetika, sektori i ndërtimit, por edhe sistemi bankar. Ne i japim shumë rëndësi bashkëpunimit dhe marrëveshja që kemi bërë është një hap shumë i mirë për ta çuar atë përpara.”
Delegacioni që shoqëronte kryetarin e ATTSO përbëhej nga znj. Pelin Ozdemir, këshilltare tregtare e Turqisë në Shqipëri, drejtori i ATTSO, z. Ertan Gungor dhe anëtarët e bordit, znj. Teuta Ustundag dhe z.Altin Kodra.