DHTIT dhe TET realizojnë takimin e parë për vendosjen e bashkëpunimeve të reja për biznesin
Ditën e hënë me datë 18 tetor stafi përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë pritën në një takim prezantues shoqatën TET “Turkish Electro Technology” .
Një grup i vogël i anëtarëve të bordit të TET realizoi këtë vizitë në DhTIT për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit dhe organizimin e takimeve B2B midis kompanive turke dhe homologëve të tyre lokalë (blerës të drejtpërdrejtë, tregtarë, kontraktorë, partnerë projekti, etj.)
Ky takim u zhvillua në kuadër të intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe bashkëpunimit nëpërmjet delegacioneve të biznesit në industrinë e elektronikës dhe energjisë Shqipëri dhe asaj Turke.
TET synon të lehtësojë marrëdhëniet afatgjata të biznesit përmes takimeve B2B dhe vizitave të kompanive. Në këtë drejtim, ata po planifikojmë të organizojnë vizitën e një delegacion biznesi në Shqipëri në fillim të muajit Maj 2022.
Bisedime frytdhënëse u zhvilluan me Drejtoren e Departamentit të eventeve pranë DhTIT znj. Ornela Gaçe, përsa i përket mundësive konkrete për bashkëpunim në të ardhmen.
Delegacioni do të përbëhet nga rreth 15 kompani që prodhojnë mallra në industrinë elektrike dhe elektronike (artikuj të bardhë, kabllo, ndriçim, transformatorë, gjeneratorë, ndërprerës, elektronikë, njehsorë elektronikë etj).