DHTIT dhe shoqatat e biznesit takim konsultativ me opozitën për “Platformën Ekonomike të sipërmarrjes private për zhvillim të qëndrueshëm, konkurrueshmëri dhe inovacion”

DHTIT dhe shoqatat e biznesit takim konsultativ me opozitën për “Platformën Ekonomike të sipërmarrjes private për zhvillim të qëndrueshëm, konkurrueshmëri dhe inovacion”

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës, në bashkëpunim me shoqatat më të mëdha të biznesit, zhvilloi një takim konsultativ me përfaqësues të Partisë Demokratike, ku u diskutua mbi propozimet për “Platformën Ekonomike të Sipërmarrjes Private për Zhvillim të Qëndrueshëm, Konkurrueshmëri dhe Inovacion”.

Në këtë takim, Partia Demokratike përfaqësohej nga kryetari i kësaj force politike, z. Sali Berisha, deputetja znj. Jorida Tabaku, z. Akil Kraja, Drejtori i Kabinetit të Kryetarit dhe grupi i ekspertëve, z.Dorian Teliti, znj. Mira Pogaçi, z.Florjan Mima.

Nga ana tjetër, biznesi përfaqësohej nga z.Nikolin Jaka, kryetar i DHTIT-së, z.Ilir Hebovija nga Shoqata e Ndërtuesve, z. Zak Topuzi nga Shoqata e Turizmit, z. Filip Gjoka nga Shoqata e Bimëve Medicinale, znj. Albana Muçaj nga Dhoma Ekonomike e Gruas dhe znj. Flutura Xhabija nga Shoqata e Grave Profesioniste Afariste.

Takimi nisi me fjalën e Z.Jaka, i cili prezantoi platformën e hartuar nga ekspertët DHTIT dhe shoqatat, duke e ftuar kryetarin e partisë më të madhe opozitare në Shqipëri, z. Sali Berisha, që t’i përfshijë këto propozime në programin e tyre elektoral, në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Në përgjigjen e tij, z. Berisha vlerësoi propozimet si shumë të dobishme për zhvillimin e biznesit shqiptar, duke i pranuar ato dhe duke u angazhuar për ta inkorporuar në platformën e demokratëve.

“Keni bërë një platformë shumë të mirë, ne do pasqyrojmë plotësisht propozimet tuaja dhe i gjejmë shumë të arsyeshme dhe të drejta dhe shpresojmë që t’i paraqesim biznesit shqiptarë një platformë ‘Made in Albania’”, u shpreh z.Berisha.

Në fund palët ranë dakord për një takim të dytë i cili do të zhvillohet para zgjedhjeve parlamentare, për të diskutuar më tej propozimet dhe mënyrat e realizimit të tyre.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve dhe politikës për një zhvillim të qëndrueshëm dhe konkurrueshmëri më të madhe në ekonominë shqiptare.

DHTIT është në pritje të një ftese nga mazhoranca për një takim konsultativ mbi këtë platformë dhe përfshirjen e këtyre propozimeve në programin elektoral të qeverisë aktuale.

Share this post