DHTI Tiranë mirëpret përfaqësuesit e shoqatës turke HAKSIAD: Drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë priti në një takim zyrtar përfaqësuesit e shoqatës turke HAKSIAD. Ky takim shërbeu si një platformë për të diskutuar mundësitë e reja të partneritetit ndërmjet sipërmarrjeve shqiptare dhe atyre turke.
Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ekonomike dhe strategjike mes dy vendeve. Me një volum tregtar që arrin në 1 miliard EUR dhe investime të konsiderueshme në sektorë si industria minerare, metalurgjia, bankat dhe ndërtimi, Turqia mbetet një partner kyç për Shqipërinë.
DHTI Tiranë rikonfirmoi mbështetjen e saj për investitorët e huaj, duke vënë theksin te klima e favorshme e biznesit dhe mundësitë që ofron kuadri ligjor shqiptar, veçanërisht në sektorët strategjikë. Palët shprehën vullnetin për të ndërtuar ura konkrete bashkëpunimi përmes organizimit të panaireve, ekspozitave tregtare dhe shkëmbimit të eksperiencave në industrinë prodhuese. 

