Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë në mbështetje të bizneseve “të gjelbërta” në Ditën Ndërkombëtare të NMVM-ve
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, e përfaqësuar nga nënkryetari, z. Loritan Prespa, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Bashkia e Tiranës në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM).
Në këtë aktivitet u prezantuan bizneset që janë shpallur përfitues të projektit të Bashkisë Tiranë për vitin 2025, “Mbështetje financiare (grant) për biznese të reja ‘të gjelbërta’”, si dhe ato ekzistuese që po synojnë të transformohen në modele eko-miqësore, duke integruar elementë “go-green” në aktivitetin e tyre.

Gjatë takimit u diskutua mbi rëndësinë që NMVM-të kanë në zhvillimin ekonomik të qytetit, si dhe mbi rolin aktiv që luajnë të gjithë aktorët përfshirë edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në mbështetjen e këtij sektori kyç për ekonominë vendore.
Në fjalën e tij, z.Prespa u shpreh se ky aktivitet i shërben angazhimit të përbashkët për të krijuar një ekosistem mbështetës, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm për sipërmarrjen vendase, në veçanti për NVM-t.

Në përmbyllje të aktivitetit, kompanitë përfituese morën në mënyrë simbolike kontratat e bashkëpunimit, duke shënuar fillimin e një faze të re mbështetjeje për zhvillimin e qëndrueshëm të sipërmarrjes në Tiranë.