Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë feston 125 vite të ekzistencës së saj. CCIT Awards 2022 vlerëson më të mirët e sipërmarrjes
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë është në vitin jubile të saj. Institucioni që daton 125 vite më parë, mblodhi me këtë rast në Teatrin e Operas dhe Baletit sipërmarrësit anëtar dhe bashkëpunëtor të saj, drejtuesit e dhomave të rajonit në zonat shqipfolëse, kryetarët e Dhomave të Shqipërisë, ish-kryetarët që kanë drejtuar këtë institucion, personalitetet më të larta shtetërore të vendit, ministra dhe deputetë të parlamentit shqiptar.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Lindita Nikolla, Frida Krifca, Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zonja Evis Kushi, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, zonja Milva Ekonomi, ministre e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, zonja Mimi Kodheli, kryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvend, Blerina Gjylameti, Ermonela Felaj etj., nënkryetarët e Bashkisë Tiranë, zoti Andi Seferi, zonja Anisa Ruseti, kryetari i Qarkut Tiranë, zoti Aldrin Dalipi, ambasadorë të atashuar në vendin tonë me të cilat DHTIT ka një bashkëpunim të mirë, zoti Luigi Triggiani, Sekretari i Përgjithshëm i Union Camera Puglia, zoti Nagip Fejzi, kryetar i FEMSH, zoti Nebi Hoxha, kryetar OEMVP, zoti Berat Rukiqi, kryetar Oda Ekonomike e Kosovës, zoti Skënder Krasniqi, kryetar i OAK, ish kryetarët e DHTIT, zoti Zenel Hoxha, zoti Luan Bregasi, zoti Gjokë Uldedaj, ishin disa nga pjesëmarrësit në këtë event të rëndësishëm të Dhomës.
Në këtë ceremoni zyrtare ku u vlerësuan gjithashtu dhe me të mirët e sipërmarrjes anëtar dhe bashkëpunëtor të saj, kryetari i DHTIT zoti Nikolin Jaka shprehu një falenderim të veçantë për të gjithë të ftuarit dhe sipërmarrësit që i janë bashkuar institucionit. “Ju falenderoj të gjithëve për praninë tuaj në këtë moment të rëndësishëm për Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë. Ndihem i privilegjuar që arritëm të ndajmë bashkë këtë moment të veçantë për institucionin më të rëndësishëm të sipërmarrjes së Tiranës”, u shpreh Jaka në fjalën e tij. “Vlerat themelore të DHTIT për anëtarësinë e saj bazohen në: Respekt, Bashkëpunim, Kreativitet, Profesionalizëm dhe Përgjegjësi. Për vitin 2022 qe sapo kemi filluar drejtimet e punës se saj janë përqendruar ne: mbështetjen dhe promovimin e sipërmarrjes për rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë në tregun rajonal dhe atë global; zgjerimin e portofolit të shërbimit në funksion të edukimit dhe kualifikimit të burimeve njerëzore për sipërmarrjen; dhe si avokate e zërit dhe nevojave te anëtarësisë se dhomës, për ndërmarrjen e nismave ligjore që ndikojnë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe nxitjes se investimeve”, u shpreh ndër të tjera kryetari Jaka, duke garantuar në këtë mënyrë të gjithë biznesin se Dhoma do të jetë institucioni “shtëpi” për ta.
CCIT Awards 2022
CCIT Awards 2022, erdhi në vitin e saj të 12 si një vlerësim për biznesin. “Ky jubile ka në qendër të saj pikërisht sipërmarrjen. Atë biznes që në ditët e tij më të vështira ka ditur të jetë kreativ dhe konkurrent njëkohësisht, i guximshëm por dhe i matur. Duke vlerësuar pikërisht këta faktorë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, sjell dhe këtë radhë më të mirët e sipërmarrjes, jo vetëm të Tiranës, por të gjithë trevave ku flitet shqip dhe konsumohet shqip. Më shumë se 30 kompani me drejtuesit e tyre janë pjesë e vlerësimit të bërë nga institucioni ynë”, u shpreh kryetari Jaka. Sipas tij vlerësimi i sipërmarrjes erdhi “për atë çka ditën të bëjnë më mirë në vitin e vështirë që lamë pas. U përshtatën me kushtet e reja duke qenë pranë konsumatorit me cilësinë më të lartë të mundshme. Madje një pjesë prej tyre sollën teknologji krejtësisht të re, duke investuar dhe qenë konkurrente të denja me simotrat e tyre europiane”. Për këtë zoti Jaka u shpreh se “jemi të përulur dhe mirënjohës ndaj tyre që mbi të gjitha dhanë një kontribut të paçmuar në zhvillimin e ekonomisë së vendit”.
Po kush ishin kompanitë që u vlerësuan në këtë festë jubilare?
Posta Shqiptare, Teleperformanca, ONE Telecommunications, Tibo Tv, Doni Fruits, Movenpick, Rea’s, Intermedica, Inda Sha, Coca cola, Wisdom, WaterBoutique, Euroelektra, Tona, Lajthiza Invest Sh.A, Eurosig, Pirraci, Ballkan trans, Erzeni, Dermolife, Albadent, Alumil, Dauti Comerce, Ats Group, Alba Fresh, Walone Fashion Group, Abc news, Oval Studios, Almero DOO. Gjithashtu një vend të veçantë në këtë ceremoni zuri dhe mirënjohja për ata bashkëpunëtorë të sipërmarrjes dhe ata sipërmarrës që kanë dhënë një kontribut të paçmuar në ekonominë e vendit dhe rajonit. Pjesë e këtij vlerësimi ishin Nagib Fejzi, kryetar i Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar, zonja Frida Krifca, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Muharrem Salihu, sipërmarrësi nga Presheva dhe zonja Ornela Gaçe.