Fuqizimi i Bashkëpunimit Ekonomik Shqipëri–Sllovaki
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTI-Tiranë) organizoi sot Forumin e Biznesit Shqipëri–Sllovaki, një ngjarje kyçe për nxitjen e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona. Ky forum u zhvillua me pjesëmarrjen e veçantë të një delegacioni zyrtar dhe biznesi nga Sllovakia, kryesuar nga Shkëlqesia e Tij, Z. Rastislav Chovanec, Sekretar Shteti në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovakisë. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i DHTI-Tiranë, Z. Nikolin Jaka, theksoi se ky takim është një mundësi konkrete për të shfrytëzuar potencialin e madh ekonomik që ekziston mes dy vendeve. Ai nënvizoi se bashkëpunimi duhet të fokusohet jo vetëm në rritjen e tregtisë, por edhe në integrimin e Shqipërisë në zinxhirët industrialë evropianë. Pikat kryesore të Forumit:Partneritete të Reja: Pjesëmarrja e kompanive sllovake nga sektorë strategjikë si ndërtimi (shtëpi keramike të parafabrikuara), teknologjia e paralajmërimit të hershëm, menaxhimi i ujit, industria metalike, makineritë bujqësore, dhe turizmi. Misioni Ekonomik: Vizita u realizua në bashkëpunim me Dhomën Rajonale të Tregtisë dhe Industrisë së Trenčín, e përfaqësuar nga Drejtori i saj, Z. Ján Václav. Sektorët me Prioritet: Diskutimet u fokusuan në mundësi konkrete investimi në energji, turizëm, agro-përpunim, infrastrukturë dhe teknologji. DHTI-Tiranë mbetet e përkushtuar në mbështetjen e bizneseve shqiptare për të krijuar ura bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë dhe për të ofruar një klimë sa më të favorshme për investimet e huaja në vendin tonë. Falënderojmë Ambasadën Sllovake dhe Atasheun Tregtar, Z. Ivo Hanuš, për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e këtij aktiviteti.


