Kompania prestigjioze arbëreshe “Madeo Group” plan investimi në Mirditë, merr pjesë në takim edhe kryetari i DHTIT, z.Jaka

Kompania prestigjioze arbëreshe “Madeo Group” plan investimi në Mirditë, merr pjesë në takim edhe kryetari i DHTIT, z.Jaka

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, z. Nikolin Jaka mori pjesë në takimin me fermerët e zonës së Mirditës, me  ftesë të kryetarit të Bashkisë së Mirditës z. Albert Melyshi dhe kompanisë arbëreshe “Madeo Group”.

Ky organizim kishte si qëllim zhvillimin e sektorëve të bujqësisë dhe blegtorisë në Mirditë, duke prezantuar praktikat e suksesshme të komunitetit arbëresh në Itali, të cilat mund të shërbejnë si modele frymëzuese për fermerët lokalë.

Takimi u nderua dhe me pjesëmarrjen e znj. Anna Madeo, Konsullja e Nderit të Shqipërisë në Kalabri dhe përfaqësuese e kompanisë “Madeo Group”, një emër i njohur ndërkombëtarisht për prodhimin e mishit, sallamrave, proshutave dhe produkteve tradicionale italiane.

Znj. Madeo prezantoi për fermerët e Mirditës mundësi konkrete bashkëpunimi që mund të zhvillojnë prodhimin lokal dhe të hapin tregje të reja si prodhimi i i vajit të ullirit; rritja e derrave dhe përpunimi i mishit; prodhimi i djathit të bardhë; prodhimi i specave dhe produkteve të tjera tradicionale.

Foto nga takimi

Në fjalën e tij, Kryetari i DHTIT-së, z.Nikolin Jaka tha se në këtë takim pati rezultate konkrete, pasi një prej kompanive më prestigjioze, siç është “Madeo Group” ka shprehur interesin për të bërë investime konkrete në zonë.

“Është bërë një takim në Kalabri ku një ndër kompanitë më të mira dhe më prestigjoze, “Madeo Group” ka shprehur interesin për të bërë investime në zonën e Mirditës, investime të cilat janë të fokusuara në bujqësi, në përpunim dhe shitje e produkteve nga Mirdita. Bëhet fjalë për rritjen e derrave, krijimin e mundësive të prodhimit të specit dhe pse jo kultivimin e vajit të ullirit. (…) DHTIT i është bashkangjitur kësaj iniciative, unë kam nderin dhe kënaqësinë si mirditor që jam që kjo iniciativë të marrë jetë dhe zhvillim,e Mirdita të shoh gjëra konkrete në këtë zhvillim”, u shpreh z.Jaka.

Kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi tha se kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për fermerët në Mirditë.

“Tashmë është një mundësitë që mirditorët ta kthejnë në një burim ekonomik mbarështrimin e derrave në zonën e Mirditës. Jam i bindur që do ketë dhe ka shumë familje mirditore të interesuara që të nisin këtë aktivitet me interes ekonomik në mbarështrimin e derrave. Sot kishim prezantimin e projekt idesë, gradualisht në muajt në vijim do e shtrijmë këtë ide në çdo familje mirditore dhe pastaj do shohim interesat konkrete. Shumë shpejt do të shkojmë në finalizimin ekonomik të projektit.  Megjithatë, ka dhe alternativa të tjera, si bujqësia, blegtoria, mbarështrimi i dhive apo punimi i tokës dhe kultivimin e perimeve dhe pastaj gjetja e tregut për ta”, u shpreh Kryetari i Bashkisë Mirditë, z. Albert Melyshi.

Ky takim vjen si rezultat i vizitës që një delegacion biznesi nga Shqipëria, drejtuar nga kryetari i DHTIT-së, z.Jaka zhvilloi më 25 shtator në Kozenca, Itali. Delegacioni u prit nga Dhoma e Tregtisë, Industrisë dhe Agrikulturës së Kozencës, teksa zhvilluan edhe disa vizita në disa sipërmarrje të rëndësishme arbëreshë.

Share this post