Mbahet forumi i biznesit Kozenca-Tiranë, kryetari i DHTIT-së, z.Jaka: Moment i rëndësishëm për zhvillimin e sipërmarrjes së 2 vendeve

Mbahet forumi i biznesit Kozenca-Tiranë, kryetari i DHTIT-së, z.Jaka: Moment i rëndësishëm për zhvillimin e sipërmarrjes së 2 vendeve

Për herë të parë, një delegacion biznesi nga Tirana, i kryesuar nga kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, z.Nikolin Jaka u prit në një takim zyrtar në Dhomën e Tregtisë, Industrisë dhe Agrikulturës së Kozencës, Itali. Gjatë këtij takimi, z. Jaka dhe sipërmarrësit u pritën nga Sekretarja e Përgjithshme e Dhomës së Kozencës, znj. Ermina Giorno dhe zëvendëspresidenti, z. Marii Amroggi.

Takimi u realizua me ftesë të Konsulles së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Kalabri, znj. Anna Madeo, e cila dha një kontribut të çmuar në organizimin e këtij eventi të rëndësishëm. Me përkushtimin dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm, znj. Madeo krijoi një atmosferë të favorshme për nxitjen e mundësive të reja të bashkëpunimit dhe partneriteteve mes sipërmarrësve shqiptarë dhe italianë.

Konsullja e Nderit të Republikës së Shqipërisë në Kalabri, znj. Anna Madeo

Në fjalën e tij, Kryetari z. Nikolin Jaka, e vlerësoi këtë takim si një moment të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se ekzistojnë mundësi reale dhe të shumta për partneritet konkret mes bizneseve shqiptare dhe italiane.

Z. Jaka ftoi sipërmarrësit italianë të investojnë në Shqipëri, duke shtuar se vendi ofron një klimë të favorshme biznesi dhe lehtësira të rëndësishme fiskale për investitorët e huaj. Ai theksoi si sektorë me potencial të lartë bashkëpunimi turizmin, energjinë dhe agrikulturën.

Foto nga takimi

Gjatë kësaj vizite, delegacioni shqiptar u prit me interes të veçantë nga rreth 70 biznese italiane, përfaqësuese të disa prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë italiane dhe rajonale. Në përmbyllje, pjesëmarrësit patën mundësi të zhvillonin edhe takime të drejtpërdrejta B2B.

Bizneset e pranishme në takim

Gjatë bashkëbisedimit u theksua gjithashtu afërsia kulturore dhe historike mes Shqipërisë dhe Italisë, si një element që krijon një themel të fortë për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme ekonomike. Për rrjedhojë, në këtë frymë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, u propozua edhe nënshkrimi i një memorandumi bashkëpunimi mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe asaj të Kozencës, me qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe lehtësimin e shkëmbimeve të ardhshme tregtare dhe ekonomike mes dy vendeve.

Share this post


Privacy Overview

This website uses cookies so that we can provide you with the best user experience possible. Cookie information is stored in your browser and performs functions such as recognising you when you return to our website and helping our team to understand which sections of the website you find most interesting and useful.