30 mln euro kredi për bizneset! Kryetari i DHTIT, z.Jaka takon drejtorin ekzekutiv të programit Italo-Shqiptar për zhvillimin e sektorit privat
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka, priti në një takim Drejtorin Ekzekutiv të Njësisë së Menaxhimit të Programit “Italo-Shqiptar për zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri” pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, z. Gravil Lasku, si dhe eksperten znj. Pranvera Karapici.
Ky takim synonte prezantimin e programit dhe diskutimin mbi mundësitë që ofrohen për mbështetjen e bizneseve.
Në këtë takim, z. Lasku bëri me dije se, në kuadër të këtij programi, ofrohen kredi për të mbështetur rritjen e performancës së bizneseve të vogla dhe të mesme, me një fond total prej 30 milionë euro. Ai kërkoi bashkëpunimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë për të shërbyer si një urë lidhëse me sipërmarrjen, duke u ofruar bizneseve (SME) informacionet e nevojshme për të përfituar nga ky fond.
Nga ana tjetër, Kryetari i DHTI-së, z. Jaka, e vlerësoi këtë nismë si një hap shumë të rëndësishëm në mbështetje të bizneseve, veçanërisht në një kohë kur Shqipëria po ecën drejt integrimit në Bashkimin Europian. Në këtë kontekst, ai theksoi se rritja e kapaciteteve të sipërmarrjes shqiptare është thelbësore për t’u përshtatur me një treg të përmasave europiane, dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë në këtë drejtim.
Në fund, palët ranë dakord të organizojnë një konferencë të përbashkët për mediat në fund të muajit maj, ku do të prezantohen më në detaje procedurat, kriteret, mënyra e aplikimit dhe përfitimet që ofron ky fond.