Z.Jaka takim me delegacion nga Filipinet: Në fokus bashkëpunimi për punësimin e ligjshëm të punëtorëve filipinas në Shqipëri
Në ambientet e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, u prit një delegacion zyrtar nga Filipinet, me në fokus bashkëpunimin për punësimin e ligjshëm të punëtorëve filipinas në Shqipëri.
Kryetari i DHTIT-së, z. Nikolin Jaka, ishte i shoqëruar në këtë takim nga zëvendëskryetari, z. Loritan Prespa; Sekretarja e Përgjithshme, znj. Albana Laknori; këshilltari i kryetarit dhe njëherazi Drejtor Ekzekutiv, z. Bashkim Syka; Drejtoresha e Marrëdhënieve me Jashtë, znj. Aris Tasho dhe Drejtoresha e Eventeve pranë DHTIT-së, znj. Ornela Gaçe.
Nga ana tjetër delegacioni nga Filipinet përbëhej nga Zëvendëssekretarja Patricia Yvonne Caunan, Zëvendësministre për Politikat dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar, Departamenti për Punëtorët Migrantë; Nathaniel G. Imperial, Ambasador i Filipineve në Romë, Itali; Rosemarie G. Duquez, Drejtoreshë, Drejtoria për Punësim Paraprak dhe Vendosje nga Qeveria; Geraldine C. Mendez, Drejtoreshë, Drejtoria për Mbrojtjen e Punëtorëve Migrantë; Mylette V. Andres, Drejtoreshë në detyrë, Drejtoria për Licencime dhe Rregullore; Rosemarie Luntao, Përgjegjëse e Zyrës së Punëtorëve Migrantë dhe LV Ignacio de Guzman, Nënpunës Konsullor në Ambasadën e Filipineve në Romë, Itali.

Takimi u zhvillua me kërkesë të delegacionit filipinas, me qëllim krijimin e një bashkëpunimi me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, në funksion të lehtësimit të procesit të punësimit të qytetarëve filipinas në Shqipëri. Zëvendësministrja znj. Caunan theksoi se synimi i tyre është të sigurohet që punëtorët filipinas të kenë kushte të denja pune dhe trajtim të drejtë. Ajo kërkoi mbështetjen e Dhomës për të organizuar një sesion informues me bizneset shqiptare, ku do të shpjegohen procedurat ligjore dhe mënyra e duhur për rekrutimin e punonjësve nga Filipinet, duke shmangur çdo formë të abuzimit apo informalitetit.
Në fjalën e tij, z. Jaka vlerësoi punën e qeverisë filipinase dhe Ambasadorit z. Nathaniel G. Imperial në mbrojtje të interesave të qytetarëve të vendit të tyre dhe shprehu gatishmërinë e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, për të çuar përpara këtë nismë.

Në këtë kuadër, Drejtoresha e Eventeve pranë DHTIT-së, znj. Gaçe, propozoi organizimin e një takimi B2B mes agjencive të licencuara të punësimit në Filipine dhe bizneseve shqiptare të interesuara për punësimin e punëtorëve të huaj. Ky propozim u mirëprit nga pala filipinase, si një mundësi konkrete të lidhur agjencitë e rekrutimit filipinase me bizneset shqiptare që kërkojnë punëtorë.
