Nga menaxhimi i projekteve te Inteligjenca Artificiale, zhvillohen trajnime për zhvillimin profesional në kuadër të projektit DERHE
Në kuadër të projektit DERHE (Digital Education Readiness in the Field of Higher Education), i financuar nga Bashkimi Europian, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës dhe Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Ekonomisë, ka organizuar një seri trajnimesh të dedikuara për zhvillimin profesional të stafit të biznesve.
Këto sesione janë pjesë e një nisme më të gjerë që përfshin të gjithë partnerët e këtij projekti, i cili bashkon vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerë evropianë. Objektivi kryesor është zhvillimi i gatishmërisë për arsimin digjital në fushën e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe forcimi i lidhjeve me sektorin industrial, për të rritur kapacitetet kërkimore dhe inovative në arsimin e lartë, si dhe për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet akademisë dhe sektorit privat.
Më 25 mars 2025, u mbajt trajnimi me temën “Menaxhimi i Projekteve për Industrinë”, udhëhequr nga Prof. Asoc. Dr. Valma Prifti, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të përfitojnë njohuri të thelluara dhe praktika të mira në lidhje me menaxhimin efektiv të projekteve.

Më pas, më 23 prill 2025, u zhvillua trajnimi me temë “Sistemet e Menaxhimit të Dokumenteve dhe Inteligjenca Artificiale”, i drejtuar nga Prof. Asoc. Dr. Elira Hoxha dhe Prof. Asoc. Dr. Gjergji Mulla. Gjatë këtij sesioni, u diskutua mbi rolin gjithnjë e më të madh që luajnë teknologjitë e avancuara në përmirësimin e proceseve të punës.

Më 24 prill 2025, Prof. Asoc. Dr. Arjan Tushaj zhvilloi një trajnim të përqendruar te: “Vlerësimi i Ndikimit Ekonomik të Inteligjencës Artificiale” dhe “Qëndrueshmëria Mjedisore, Ekonomia e Gjelbër dhe Inteligjenca Artificiale”. Ky trajnim solli në vëmendje ndikimin në rritje të AI në ekonominë globale dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke theksuar sfidat dhe mundësitë që ofron teknologjia për të ardhmen.

Kjo seri trajnimesh vijnë pas një workshop të rëndësishëm që u mbajt në fillim të muajit mars në Mal të Zi ku u prezantuan kurset dhe programet akademike të zhvilluara nga disa universitete, të cilat ishin të fokusuar në lidhjen me industrinë dhe kërkesat e tregut të punës.