Tradita vijon! “CCIT Awards 2024” vjen më 4 dhjetor, aty ku më të mirët vlerësohen
Ceremonia e ndarjes së çmimeve “CCIT Awards 2024” do të zhvillohet më 4 dhjetor në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke bashkuar në një mbrëmje gala kompanitë më të suksesshme që operojnë në tregun shqiptar. Ceremonia, e cila përkon me 128-vjetorin e krijimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, do të nisë në orën 18:30. Përveç ndarjes së çmimeve, mbrëmja do të jetë e pasuruar gjithashtu edhe me një program artistik të dedikuar.
Ky event, tashmë një traditë e konsoliduar e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, do të nderojë sipërmarrësit dhe bizneset për cilësinë, besueshmërinë dhe përgjegjshmërinë që ata kanë treguar përgjatë këtij viti në sektorët ku operojnë.
Megjithatë, kjo ceremoni është më shumë se thjesht një ndarje çmimesh, është një ngjarje që promovon dhe vlerëson sipërmarrësit që i kanë besuar vendit dhe kanë ofruar produkte dhe shërbime të denja për konsumatorin.
Në këtë event, të ftuar do të jenë përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, trupa diplomatikë, akademikë dhe profesionistë të fushave të ndryshme, të cilët do të bashkohen për të duartrokitur dhe përkrahur ata që kanë arritur kulmin në sipërmarrje dhe zhvillim ekonomik.