Rritja e Tregut të Përbashkët Kosovë-Shqipëri: Takimi i Parë i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Aleancës Kosovare të Bizneseve

Rritja e Tregut të Përbashkët Kosovë-Shqipëri: Takimi i Parë i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Aleancës Kosovare të Bizneseve

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve ( AKB)  kanë mbajtur  sot me 16 tetor takimin e parë me temë: Rritja e tregut të përbashkët Kosovë-Shqipëri si mundësi e qëndrueshme e zhvillimit ekonomik”.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini u shpreh se ky takim ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit për ekonominë kombëtare dhe rritjen e konsumit të prodhimeve vendëse në Kosovë dhe Shqipëri. Shahini u bëri thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë të takohen dhe të bisedojmë për 100 marrëveshjet e nënshkruara, me qëllim të rritjes së ekonomisë të të dyja vendeve.

Ai ka bërë të ditur se mbi 600 biznese nga Kosova ekzistojnë në Shqipëri, por që tha se Kosova ka nevojë më shumë për importe nga Shqipëria, dhe anasjelltas.

“Ekonomia kombëtare kërkon bashkëpunim më të ngushtë, pasi ne si popull varemi nga prodhimet e huaja. Prodhuesit përballen me konkurrencë të padrejtë dhe nuk konsumojnë mjaftueshëm produkte vendase. Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë kanë nënshkruar mbi 100 marrëveshje, shumë prej të cilave janë harruar, prandaj është e nevojshme që ato të rrisin ekonominë kombëtare. Rruga e Kombit ka lehtësuar lëvizjen e mallrave dhe kapitalit, dhe është e rëndësishme që të dyja vendet të konsolidohen, veçanërisht përballë sanksioneve ekonomike që ndikon negativisht në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të takohen më shpesh për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, veçanërisht në turizëm, ku kosovarët mund të investojnë lehtë. Shqipëria gjithashtu duhet të investojë në Kosovë, dhe ne mbështesim konsumimin e produkteve shqiptare. Më shumë se 600 biznese nga Kosova operojnë në Shqipëri, por shkëmbimet tregtare mbeten të ulëta. Ky takim synon të nxjerrë në pah nevojën për rritjen e prodhimit vendas dhe të theksojë se të dyja vendet kanë nevojë për më shumë importe nga njëra-tjetra.

Nikolin Jaka, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, ka theksuar se ndonëse të dyja vendet kanë prodhimtari, shkëmbimet tregtare mungojnë. Edhe ai ka kërkuar që të rishikohen marrëveshjet e nënshkruara dhe të vlerësohen rezultatet.

“Ky takim është shumë i rëndësishëm, pasi qeveritë tona kanë një marrëdhënie të mirë, por ende shumë punë për të bërë. Deficiti tregtar është shqetësues dhe tregon mungesën e mbështetjes për prodhuesit vendas. Jam skeptik në lidhje me implementimin e mbi 100 marrëveshjeve të nënshkruara, për shkak të pengesave tarifore e jo tarifore. Ky takim duhet të nxjerrë në pah problemet dhe të ofrojë zgjidhje. Kosova ka turizëm malor, ndërsa Shqipëria turizmin e detit; investimet e përbashkëta janë thelbësore”

Jaka u shpreh  se Shqipëria është një hap përpara në rrugën e anëtarësimit në BE, prandaj edhe duhet që ta ndihmojë Kosovën në këtë drejtim.

“Mos të harrojmë që rajoni i Ballkani Perëndimor po bëhet gati për të hyrë në BE duhet Kosova dhe Shqipëria të paraprijë integrimin në BE në mënyrë që të jemi partnerë. Sot po bëjmë një proces mes dy vendeve, duhet t’a inkurajojmë Qeverinë e Kosovës dhe atë shqiptare të jenë në sinkron në politikat e përbashkëta”, u shpreh Jaka.

Rodolf Xhilari, anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, theksoi se për një bashkëpunim më të ngushtë është e nevojshme barazia në TVSh. Ai shprehu shqetësimin për burokracinë dhe lehtësirat më të mëdha tatimore për Kosovën në krahasim me Shqipërinë. Xhillari përmendi se çmimi më i lartë i naftës në Shqipëri ndikon negativisht në barazinë e konkurrencës dhe theksoi nevojën për barazim.

Shkëlqim Jusaj nënkryetar i AKB-së, tha se arsyeja pse Kosova ka çmim më të lirë të naftës se Shqipëria, është për shkak të taksave më të ulëta.

Takimi shënon një hap kryesor në përpjekjet për të forcuar lidhjet ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke krijuar mundësi për një zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të tregtisë që do të sjellë përfitime për të dy popujt. Bashkëpunimi i ngushtë mes bizneseve dhe qeverive është thelbësor për të tejkaluar pengesat ekzistuese dhe për të rritur potencialin ekonomik të rajonit.

Share this post